PD: Opozitën e presim dhe një raund për Presidentin
Partia Demokratike deklaroi dje se do të kërkojë konsensus me opozitën vetëm për raundin e tretë dhe më pas do të zbatoj Kushtetutën duke zgjedhur kandidatin e saj me shumicë të thjeshtë. Kryeministri Berisha në mbledhje qeverie e ka kaluar me humor momentin e diskutimit për presidentin duke u shfaqur i qetë. Ndërsa deputeti Edi Paloka duke fol për mediat ka thënë se PD dhe mazhoranca do të zgjedhin Zaganjorin nëse PS nuk jep konsensus dhe për raundin e tretë.
Batutat e Berishës
Raundin e tretë në parlament për zgjedhjen e Presidentit, kryeministri Berisha e pret me batuta dhe humor. Dy javë më parë, Berisha kërkoi nga deputetët e tij që t’i dërgonin mesazhe telefonike në rast se nuk donin që t’u përfshihej emri në garën presidenciale, ndërkohë sot në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha zbuloi se asnjë nga deputetët e djathtë nuk i ka dërguar mesazh dhe të gjithë janë përfshirë nga ethet presidenciale. “Ju zonja ministre, dhe ju zotërinj ministra, ju falënderoj se mesazh nga ju nuk kam marr. Është fjala që e kam pasur një porosi po mesazh nuk kanë dërguar. Ëndrra e madhe e Shqipërisë dixhitale po bëhet gjithnjë, çdo ditë e më shumë realitet. Unë e kuptoj që ju sapo thashë ëndërr po ju shkon mendja tek presidenti, po atë mund ta realizojë vetëm një njeri, aq e kemi postin”, tha Berisha.
Kandidaturat e PD
Xhezair Zaganjori do të jetë kandidati i maxhorancës edhe në raundin e katërt, kur presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. Të paktën, këtë konfirmon nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili thotë se maxhoranca nuk është e lëkundur nga kandidatura e Zaganjorit. Ai fton gjithashtu opozitën të paraqes kandidatin e saj. “Ne e kemi kandidaturën tonë dhe ai është Xhezair Zaganjori. Ne i kemi pasur emrat tanë, kur kemi deklaruar që kandidatura do të jetë politike dhe mbas kësaj, për hir të konsensusit, ne kemi gjetur si kandidat më të përshtatshmin, më të mirin, zotin Zaganjori”, deklaroi deputeti demokrat, Edi Paloka. Seanca e ditës së sotme do të vendosë edhe ditën kur do të zhvillohet raundi i tretë i votimit për Presidentin e ri. Ky do të jetë shansi i fundit për opozitën për të negociuar me demokratët për një President konsensual. Në dy raundet e fundit, Kreu i Shtetit zgjidhet me jo më pak se 71 vota, ku dakordësia brenda koalicionit të djathtë i cili disponon 73 vende në Kuvend nuk ka nevojë për konsensusin e opozitës.