E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS debat në PE, Mirel: Greva e urisë do ndikojë për statusin



Kriza politike dhe greva e urisë së deputetëve të PS-së zbret edhe në Parlamentin Evropian. Për rreth tri orë e gjysmë përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës janë përballur me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe Komisionit në takimin e Komitetit Ndërparlamentar për Stabilizim-Asocimin, BE-Shqipëri. Top Channel bën të ditur se drejtori për Zgjerimin me Ballkanin në Komisionin Evropian, Pier Mirel ka bërë të ditur se kriza politike do të ndikojë në mendimin e KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. "Greva e urisë është diçka pozitive për të marrë statusin e kandidatit? Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe ne do ta kemi parasysh këtë në opinionin tonë", tha Mirel gjatë takimit. Nga ana e tij, eurodeputeti Eduard Kukan theksoi se "situata aktuale politika, ku opozita nuk merr pjesë ose merr pjesë pjesërisht ose në mënyrë të kushtëzuar në seancat parlamentare, është një pengesë për integrimin evropian të Shqipërisë. Të gjitha apelet që kanë ardhur nga organizatat ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar situatën dhe lajmet që po vijnë nga Tirana, tregojnë se situata është bërë më e ndërlikuar dhe e vështirë". Ndërkohë përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës kanë vijuar të mbajnë qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta. Sipas deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri, hapja e kutive të votimit është tërësisht legjitime. "Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor, sipas ligjit. është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve", është shprehur Tahiri. Ndërkohë edhe deputetja Leskaj tha se greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapriçove të Qeverisë. Nga ana e tyre, deputetët e PD-së deklaruan se kanë ftuar opozitën të hetojë zgjedhjet në komisionin hetimor parlamentar. "Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por gjithmonë duke respektuar Kushtetutën", tha deputetja Mesila Doda. Ndërsa, sipas Jemin Gjanës, zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›