Bamir Topi - “Të respektohen parimet demokratike”
Presidenti Bamir Topi ka folur dje për herë të parë për grevën tre ditore të deputetëve të Partisë Socialiste. Në përfundim të një takimi të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, kreu i shtetit tha se "për sa i përket asaj që ju pyetët, unë do të pozicionohem parimisht si Kryetar i Shtetit, që do ta respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike. Ky është një term disi i përgjithshëm, por secili duhet ta gjejë veten këtu, te kjo shprehje. Pra, gjithçka që është demokratike duhet të aspirohet dhe duhet të aplikohet. Unë uroj që gjithçka të shkojë në normalitet, sipas rregullave demokratike, që ne i kemi sanksionuar edhe me ligj". I pyetur nëse distancohet nga përplasjet e një dite më parë, ai tha "mos bëni një pyetje, e cila natyrisht konsiderohet retorike dhe e ka përgjigjen! Pra, kur thashë që gjithçka brenda kontureve dhe parimeve demokratike, ju duhet të gjeni shpjegimin këtu".