E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’do largohet populli, por Qeveria



Erald Kapri

Në ditën e katërt të protestës së opozitës, kreu i PS-së, Edi Rama, paralajmëron vijim të protestës pa ndalim. Duke folur pasdite para protestuesve të mbledhur para çadrës ku ndodhen të ngujuar 200 simpatizantët dhe deputetët e PS-së në grevë urie, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin protestën. Ai i ftoi qytetarët në veçanti që çdo ditë pasdite të marrin pjesë në protestë, ndërsa nga ana tjetër ai tha se ajo nuk do të ndalet. "U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, të gjithë bashkëqytetarëve të mi, pa dallim bindjeje partiakë, të vijnë këtu çdo padite në orën 6:00 për të shtuar radhët dhe të bëhen gati për t'i shkuar më tej kësaj beteje që nuk ndalet. Të kësaj beteje, e cila është e gjitha e përmbledhur në një fjali të vetme. Hap kutitë, ose largohu!", tha Rama. Kreu i PS-së tha para qytetarëve që nuk ekziston asnjë vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive të votimit. Sipas tij, nëse ekziston dhe e lexon Berisha, atëherë opozita do t'u kërkojë falje ndërkombëtarëve dhe popullit për protestën. "Tregoja popullit vendimin e gjykatës Zoti Kryeministër, që mandatin tënd e ke me vendim gjykate dhe mbaje, se nuk ta kërkon kush ta dorëzosh në tavolinë, ndërsa vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive për transparencën e plotë të zgjedhjeve nuk ke, sepse nuk ka. Tregoja vendimin e gjykatës që pengon të hapë kutitë. Nëse ekziston dhe është në shqip, lexoje për shqiptarët. Si e thotë e çfarë thotë dhe ne i japim fund kësaj proteste, duke i kërkuar ndjesë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi ti ta kesh lexuar vendimin e gjykatës", tha Rama, duke shtruar se "kjo luftë nuk mbaron me largimin e popullit, por me largimin e Qeverisë, nëse nuk bëhet transparenca". Kreu i opozitës lëshoi akuza më tej ndaj kreut të Qeverisë. Ai tha se vendi ndodhet në kushtet e një mbretërie të pashpallur. "Kjo është fytyra e mbretërisë së pashpallur, që grabit votat për të rrëmbyer pasurinë. Kjo është fytyra e së ardhmes sonë, në rast se ne nuk zhdukim të shkuarën", tha Rama. Ai e cilësoi si hipokrizi vizitën e Kryetares së Kuvendit, Topalli, në spital për deputeten e Durrësit të PS-së, e cila u shtrua për shkak të problemeve nga greva e urisë. "Doli vetë ai që rrezikoi jetën e Klodit, për t'u uruar në avancë shërim të shpejtë atyre që do sëmuren njësoj si Klodi. I siguroi të gjithë se do ta garantojë protestën, por është merak për trafikun. Vogëlushëve të Klodit u çoi në spital Jozefinën për të qarë ditën, atë që Saliu desh të vriste natën", tha lideri i opozitës. Rama deklaroi më tej se do t'u bëjë thirrje qytetarëve të mos e paguajnë më taksën për televizionin publik, nëse kjo media vendos të përdoret nga pushteti.

Ngjela: T'i caktojmë një datë ultimatumi Berishës
Kryetari i Partisë Ligj me Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaroi dje para protestuesve të opozitës se do t'i propozojë politikës së opozitës që t'i caktojnë një datë ultimatumi Kryeministrit Berisha për të hapur kutitë e votimit. Ngjala ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Kryeministrit të vendit. "Unë shumë shpejt do t'i propozoj politikës aktuale të opozitës që t'i caktojë një datë që të jetë ultimatum për të këtë Kryeministër të papërgjegjshëm, i sëmurë psikik. I lig. Të caktojmë një datë ultimative në mbrojte të jetës se 200 njerëzve, që do të hyjnë në histori si mbrojtjes realë të së drejtave demokrate. Sepse nuk mund të durohet një sakrificë e pafund, nuk mund të durohet një tmerr pafund", tha Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›