PD-PS ende larg kompromisit qe do te zgjidhte krizen

Paraditja e sotme do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse ky fundvit do të mbyllet me një konsensus mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialisteve për sa i përket mënyrës se si do të hetohen zgjedhjet e shkuara parlamentare. Negociatat, që mbyllën ditën e tyre të tretë, nuk kanë arritur ende të kenë një produkt përfundimtar kompromisi. Takimi i paradites së sotme mes katër negociatorëve të emëruar nga partitë, do të tregojë në mënyrë përfundimtare nëse do të ketë apo jo kompromis dhe për rrjedhojë, do të jetë apo jo e mundur mbajtja e seancës parlamentare që do të ligjëronte produktin e palëve. Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi nga PD, si dhe Fatmir Xhafaj e Damian Gjiknuri nga PS janë treguar shumë të rezervuar për sa u përket detajeve nga negociatat që janë duke u zhvilluar. Por burime pranë partive bënë të ditur dje se palët nuk kishin arritur ende asnjë kompromis për sa i përket mënyrës sesi do të bëhej hetimi i materialeve të votimit dhe çështja është lënë të diskutohet vetëm sot paradite. Nesër pritet të vendoset nëse do të mbahet apo jo seanca plenare, sepse burimet bëjnë të ditur se deri në orët e vona të pasdites së djeshme nuk iu është bërë asnjë njoftim në lidhje me seancën plenare. Nga ana tjetër bëhet e ditur se edhe ato propozime që janë hedhur për diskutim mes palëve në fundjavë mes negociatorëve kërkojnë OK-in e kryetarëve të partive, Kryeministrit Berisha nga ana e PD-së dhe Edi Ramës nga ana e PS-së. Burimet bëjnë të ditur se negociatorët kanë diskutuar në lidhje me dy variantet e mënyrës së hetimit të zgjedhjeve, që u bënë publike në seancën e ditës së enjte. Një nga variantet që u diskutua në seancën maratonë lidhet me faktin që vendimi i marrë nga Parlamenti për të ngritur komisionin të jetë i njëjti, por me ndryshimin që aty të theksohet se shumica në këtë komision t’i përkasë opozitës. Por në lidhje me këtë variant, mazhoranca ka vendosur si kusht që pasi të theksohet në draft që Partia Socialiste të kishte shumicën, kryetarin dhe të hetonte vetëm materialet zgjedhore, të shtohej edhe një pikë ku theksohej se komisioni të hetonte në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Kjo do të thotë që PS mund të hetonte në komision materialet e votimit vetëm në rastin kur këto materiale të dërgoheshin në arkiv dhe jo të merreshin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por ky skenar nuk është pranuar nga opozita. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se po punohet edhe mbi një mënyrë të tretë, sesi do të bëhet i mundur hetimi i materialeve të votimit, por detaje në lidhje më këtë rrugë nuk bëhen të ditura, pasi pritet edhe miratimi ose jo i kryetarëve të partive përkatëse. Ajo që është për t’u theksuar në lidhje me këto negociata lidhet me faktin se pjesë e tyre janë vetëm negociatorët e dy partive politike, pa ndërmjetësinë e faktorit ndërkombëtar. Duket se të “huajt” kanë hequr dorë nga negocimi i tyre në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me problemet e brendshme politike mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, një dorëheqje e paralajmëruar kjo nisur nga fakti se pjesëmarrja e tyre në negociata për krizën politike ka rezultuar e pasuksesshme. Larg këtyre negociatave shihet edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili më herët ka provuar, por pa sukses, të jetë negociator mes PD-së dhe PS-së. Tashmë duket se zgjidhja ose jo e këtij ngërçi politik që ka bllokuar për më shumë se një vit Parlamentin është një çështje e vullnetit të Sali Berishës dhe Edi Ramës.