Astrit Bushi edhe gjashte muaj ne burg
Drejtësia shqiptare merr “frymë lirisht”, pasi Astrit Bushi, person me precedentë të shumtë penalë në shtetin e Spanjës, do të qëndrojë në burg edhe për të paktën gjashtë muaj. Gjykata e Lezhës, me kërkesë të prokurorisë, ka revokuar masën e “arrestit shtëpiak” për Bushin dhe ka vendosur ndaj tij masën “arrest me burg”, me arsyetimin se ka thyer vendimin e gjykatës. Megjithatë, një tjetër dosje penale është hapur ndaj këtij personi në Prokurorinë e Laçit, pasi ai ka kundërshtuar forcat e rendit dhe është kapur me armë. Informacionet e fundit duket se kanë “qetësuar” palën spanjolle, të cilët kanë marrë kontakte me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë shqiptare për të mësuar rreth të rejave të fundit. Mësohet se spanjollët kanë mbetur të kënaqur dhe kanë përshpejtuar procedurat për të sjellë në vendin tonë të gjitha materialet. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën se, spanjollët kanë deklaruar se drejt Shqipërisë është nisur një dosje voluminoze me rreth pesë mije faqe kompjuterike të cilat do të shërbejnë për të filluar një procedim penal për vjedhje dhe grabitje me dhunë. “Procedimi penal ndaj shtetasit shqiptar Astrit Bushi do të transferohet në Shqipëri. Drejtësia spanjolle e akuzon për vjedhje dhe grabitje me dhunë. Ligji spanjoll nuk lejon hetimin dhe gjykimin në mungesë, dhe si pasojë e mungesës së marrëveshjes për ekstradimet midis dy vendeve materialet hetimore do të transferohen me letër-porosi në vendin tonë”, - thanë burimet nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas tyre, të gjitha materialet që mund të mbërrijnë në Shqipëri do të transferohen në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo e fundit deklaron se kanë marrë kontakte me Prokurorinë spanjolle në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, dhe presin dosjen hetimore për ta përkthyer dhe për ta adresuar më pas në prokuroritë e rretheve. Megjithatë, sipas akuzës qendrore, shtetasi Astrit Bushi, i shpallur në kërkim nga drejtësia Spanjolle, është në masën e arrestit me burg për akuzat e kundërshtimit të forcave të rendit dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa do të vuajë fillimisht edhe një dënim prej gjashtë muajsh burg. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se, ankesa e Ministrisë së Drejtësisë për prokurorin që ka kërkuar në gjykatë lirimin e tij, ka mbërritur në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe menjëherë kanë filluar verifikimet e para. Prokurori i Lezhës, që kërkoi lirimin nga burgu të Astrit Bushit, është nën “hetim” nga Drejtoria e Inspektimit. “Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka filluar një verifikim të dosjes ‘Bushi’. Në drejtim të Prokurorisë së Lezhës janë nisur disa inspektorë, të cilët po përgatisin raportet përkatëse për kryeprokuroren Ina Rama. Rezultatet e kontrollit do t’i serviren edhe Këshillit të Prokurorisë, i cili do të përcaktojë nëse ndaj shkelësve të ligjit do të merren ose jo masa ndëshkimore”, - thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se rezultatet e inspektimit do t’i bëhen të ditura edhe Presidentit të Republikës, si dhe ministrit të Drejtësisë.
Astrit Bushi akuzohet në Shqipëri për vrasjen e një polici, ndërsa në Spanjë ai akuzohet për vjedhjen dhe dhunimin e një producenti të famshëm. Sipas të dhënave nga dosja spanjolle, ai ka kryer në këtë shtet disa vjedhje me armë. Lirimi i tij u komentua shumë disa vjet më parë në Spanjë, madje u akuzua një gjyqtar për ryshfet.