E Shtunë, 31 Tetor 2026

E diela e pergjakur shtate te vdekur ne aksidente

Ngjarjet brenda 24 orëve, në Krujë, Përmet dhe Peqin

Përgjaken sërish akset kombëtare të vendit. Shtatë të vdekur dhe tre të plagosur, ka qenë bilanci i tre aksidenteve rrugore të ndodhura dje në Krujë, Përmet dhe Peqin. Mes viktimave, tre fëmijë: dy motra dhe i vëllai. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur pak pas mesnatës së të shtunës, në afërsi të fshatit Borizanë të rrethit të Krujës. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Anton Kola, 40 vjeç, po udhëtonte me tre fëmijët e tij, kur makina e tyre është përplasur me një makinë me targa të huaja. Kjo e fundit ka dalë nga një rrugë dytësore e fshatit Borizanë dhe makinat janë ndeshur me njëra-tjetrën. Për pasojë, automjeti ku udhëtonin familja Kola ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy motrave dhe vëllait të tyre.  Viktimat janë V.Kola, 6 vjeç; G. Kola, 12 vjeç; dhe G. Kola, 9 vjeç, kurse babai i tyre, Anton Kola, ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar me urgjencë për në Spital Ushtarak në Tiranë, por gjendja e tij vijon të jetë mjaft kritike. Mësohet se familja Kola, e cila banon në fshatin Derven, po kthehej nga një darkë Krishtlindjesh në fshatin Borizanë, kur automjeti me të cilin ata udhëtonin, një makinë tip “Golf 2” me targa KR 34602, është përplasur me një makinë tjetër tip “Golf 4” me targa të huaja BG 986 DL. Sipas grupit hetimor në vendngjarje, shkak i aksidentit ka qenë manovra e gabuar e automjetit me të cilin udhëtonin tre fëmijët. Ndërkaq, pasditen e djeshme, rreth orës 17:50, një grua është përplasur për vdekje nga një makinë tip “Hundai” me targa TR 1781 T, teksa ecte në rrugë. Aksidenti ka ndodhur në urën e Leklit, në Përmet, teksa 53-vjeçarja Diamanta Merko përpiqej të kalonte në anën tjetër të rrugës. Përplasja ka qenë fatale për gruan, e cila ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Drejtuesi i automjetit, Kosta Lapa, ka ndalur makinën dhe ka lajmëruar për ndihmë sallën operative të Komisariatit të Gjirokastrës. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak i aksidentit është bërë kalimi i gabuar i viktimës. Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas, nga përplasja e dy makinave me targa të huaja në aksin Peqin-Elbasan, humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 3 të tjerë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në dy automjetet udhëtonin emigrantë që ishin kthyer për festat e fundvitit. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve kanë mbetur të vdekur: Agim Salliu, 40 vjeç dhe Bernarda Dibra, 18 vjeç. Ndërkohë, Alban Hojka ka humbur jetën pak orë më pas në spitalin e Elbasanit. Ndërkaq, të plagosur rëndë vazhdojnë të jenë 52-vjeçarja Samie Salliu dhe 25-vjeçari Klodjan Greca. Ndërsa më rëndë paraqitet gjendja e 19-vjeçares Arjola Balla, e cila ndodhet në gjendje kome. Policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›