Buxheti Afatmesëm, Qeveria shkurton fondet për pagat dhe pensionet
Vendimi parashikon shkurtimin e shpenzimeve dhe të ardhurave me më shumë se 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë. Shkurtohen fondet për rritjen e pagave, pensioneve, kompensimin e ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve
Qeveria ka ulur dje parashikimet mbi të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore për periudhën afatmesme 2012-2014. Shifrat e reja që u miratuan dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave parashikojnë shkurtimin e shpenzimeve dhe të ardhurave me më shumë se 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë. Nga ky shkurtim preket parashikimi i fondeve për rritjen e pagave dhe pensioneve, për kompensimin e pronarëve dhe të përndjekurve. Qeveria ka rishikuar treguesit e buxhetit, duke u nisur nga realizimet faktike të dy viteve të fundit dhe sidomos të këtij viti. Ky vit buxhetor ka rezultuar me një rritje jo më shumë se 1 për qind të të ardhurave në raport me vitin 2010, ndërkohë që plani mbetet larg realizimit. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Financave kur rishikoi buxhetin e këtij viti duke shkurtuar shpenzimet e buxhetit me 18 miliardë lekë, ka rishikuar edhe parashikimet për tre vitet e ardhshme. Kështu, në raport me programimet afatmesme të muajit shkurt, qeveria vendosi dje të ulë parashikimet me 10 miliardë për të ardhurat gjatë vitit që vjen. Gjithashtu, uli me 200 milionë lekë fondin në shërbim të rritjes së pensioneve, ndërsa po në këtë masë ulet edhe fondi për rritjen e pagave. Qeveria ka miratuar shkurtimet edhe në fondin për kompensimin e të përndjekurve me 500 milionë lekë dhe atë të kompensimit të ish-pronarëve me rreth 300 milionë lekë. Në rinovimin e shifrave të shpenzimeve afatmesme janë përfshirë edhe investimet publike, të cilat janë shkurtuar me 3.7 miliardë lekë ose 30 milionë euro. Këto parashikime vlejnë për periudhat afatmesme, porse Ministria e Financave në projektbuxhetin e vitit 2012, që pritet të dorëzojë këto ditë në qeveri, ka parashikuar tregues edhe më ulët. Kështu, totali i të ardhurave në buxhetin e vitit që vjen pritet të jenë jo më shumë se 358 miliardë lekë, ose plot 9 miliardë lekë më pak se shifrat afatmesme të rishikuara dje. Në mbledhjen e kaluar të qeverisë kryeministri Berisha lajmëroi se shpenzimet operative të administratës publike në projektbuxhetin e vitit 2012 parashikohen të jenë 5 për qind më të ulëta se plani i rishikuar i këtij viti. “Do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligji, Duke filluar nga Këshilli i Ministrave, do të kenë një shkurtim prej 5% të shpenzimeve operative”, - tha Berisha. Por, nga ana tjetër, Kryeministri garantoi se viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike te mbi 820 mijë familje shqiptare. Shpenzimet operative në buxhetin e këtij viti janë programuar në masën e 28 miliardë lekëve, ndërsa sipas propozimeve të Kryeministrit ky fond mund të shkurtohet edhe me rreth 2 miliardë lekë maksimumi. Me këto masa qeveria do të zhveshë administratën nga shpenzimet e “luksit”, çka do të thotë se nuk paguhen më dietat, trajnimet, udhëtimet jashtë vendit dhe telefonat. Me ketë lajmërim të Kryeministrit pritet të mbetet në fuqi edhe vitin që vjen një vendim i qeverisë në muajin korrik, që shoqëronte shkurtimin e buxhetit. Vendimi i korrikut ka pezulluar administratën nga një sërë shpenzimesh.
Versioni aktual i kuadrit Makroekonomik dhe fiskal 2012 -2014
Treguesit 2012 2013 2014
TOTALI I TË ARDHURAVE 367,212 391,749 417,651
Të ardhura tatimore 340,603 367,700 397,713
Nga Tatimet dhe Doganat 260,658 281,612 304,816
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 129,245 139,406 151,154
Tatimi mbi Fitimin 22,794 24,772 26,843
Akcizat 44,606 48,212 52,211
Tatimi mbi të Ardhurat Personale 31,879 34,645 37,473
TOTALI I SHPENZIMEVE 408,776 436,048 464,910
Shpenzime Korrente 331,034 354,260 376,133
Personeli 71,701 74,304 77,057
Paga 60,954 63,222 65,433
Politikat të reja pagash 1,300 1,300 1,500
Interesat 51,300 56,918 59,812
Politika të reja pensionesh 1,650 1,700 1,800
Kompensimi i pronarëve 2,000 2,200 2,500
Kompensim për të përndjekurit 2,000 2,300 2,500
Shpenzime Kapitale 72,242 74,288 77,277
FINANCIMI DEFICITIT 41,564 44,299 47,259
Versioni fillestar i kuadrit Makroekonomi dhe fiskal 2012 -2014
2012 2013 2014
TOTALI I TË ARDHURAVE 377.338 411.127 448.051
Të ardhura tatimore 353.373 388.806 425.975
Nga Tatimet dhe Doganat 273.007 301.051 329.620
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 140.348 1534.397 168.869
Tatimi mbi Fitimin 21.683 24.073 26.498
Akcizat 47.445 52.556 57.517
Tatimi mbi të Ardhurat Personale 33.121 36.827 40.560
TOTALI I SHPENZIMEVE 420.127 457 241 497.603
Shpenzime Korrente 339.299 366.144 388.600
Personeli 72.651 76.090 79.223
Paga 59.961 62.670 65.520
Politikat të reja pagash 1.500 1.500 1.500
Interesat 51.333 56.080 57.392
Politika të reja pensionesh 2.100 2.300 2.500
Kompensimi i Pronarëve 2.203 3.430 3.800
Kompensim për të përndjekurit 2.500 3.000 3.200
Shpenzime Kapitale 75.858 84.098 99.003
FINANCIMI DEFICITIT -42.788 -46.114 -49.552