PD-PS, konsensus për ligjin Për bankat

Patozi dhe Ruci, kryetaret e grupeve parlamentare te pozites dhe opozites
Kuvendi miraton me 128 vota ligjin që rrit sigurinë financiare të bankave në Shqipëri. Majko: Kujtoni kohën e piramidave, Bode: Bankat janë të sigurta
Kuvendi miratoi me konsensus, por jo pa debate, ligjin Për bankat, i cili rrit sigurinë e sistemit bankar në Shqipëri. Dhe pse diskutimi dhe miratimi për të u bë në një ditë konsensusi politik, gjatë seancës së djeshme ligji nuk kaloi pa debate, ku opozita, edhe pse e mbështeste këtë ligj, kërkonte rritjen më të madhe të garancisë së depozitave të qytetarëve në bankat shqiptare. Për këtë ata i kërkuan ministrit të Financave të flasë hapur nëse bankat shqiptare kanë rrezik nga kreditë e këqija, duke sjellë në vëmendje rastet e firmave piramidale. Ligji në vetvete i ndalon bankat në Shqipëri të transferojnë pasuri apo kapitale te bankat e tyre mëma jashtë vendit kur ato ndodhen në vështirësi financiare, ndërsa i ruan ato nga falimentimi përmes ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë deri në normalizimin e situatës financiare të saj. Të gjithë e dimë, risku vjen nga jashtë dhe nuk ka përse ne të na dëmtohet pjesë e tregut bankar, vetëm se mund të kenë origjinën e kapitalit nga një vend që ka probleme në një moment të caktuar, tha ministri i Financave, Ridvan Bode. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, kërkoi kujdes për rritjen e përqindjes së kredive të këqija. 18.3 për qind e kredive të këqija është problem serioz dhe është afër kalimit në moratorium kredish për shumicën e bankave. Cilësia e kolateralit është e pasigurt dhe ligji nuk merret dot me paparashikueshmërinë e riskut, u shpreh Ahmetaj. Ndërsa deputeti socialist, Majko, kërkoi më shumë mbikëqyrje të pavarur ndaj bankave të nivelit të dytë. Parlamenti ka nevojë më shumë informacion lidhur me të drejtat që i jepen Bordit të Bankës së Shqipëri për të marrë pronësinë e Bankës, për të vendosur një administrator, pra pak a shumë besoj që zoti Bode e kujton periudhën e piramidave, kur këtë rol që doni tia vini Bankës së Shqipërisë ndaj bankave private drejt falimentimit, deri dje e kishte Deloitte & Touche me firmat piramidale, iu drejtua Majko ministrit të Financave, Bode. Në përgjigje të Majkos, por dhe të deputetëve të tjerë socialistë, ministri Bode tha se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave, zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tri ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit, tha Bode dhe u kërkoi socialistëve të mos përhapin panik te shqiptarët. Unë ju ftoj ti thoni gjërat troç, jo për të pyetur dhe për të kërkuar nënkuptimet e gjërave. Falë masave që janë marrë nga Banka e Shqipërisë më 1 janar do të fillohet me zero për atë që thuhet kredia e keqe. Ju keni një vit që dilni në TV dhe u thoni njerëzve që bankat po falimentojnë, u shpreh ministri.
Votimi
Ligji për bankat mori votë konsensuale, ku maxhoranaca dhe opozita dhanë votat për ndryshimet që i bëhen këtij ligji, të kërkuara dhe nga vendet e eurozonës. Ligji për bankat mori 128 vota pro dhe 1 abstenim, ndërsa nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, tha se le të shpresojmë që ky projektligj forcon dhe me shumë sistemin bankar dhe duket si një rrugë e përshtatshme për të vepruar, ndaj në emër të
Grupit të PS shpreh votën pro këtij projektligji.
Debati në Kuvend për ligjin Për bankat
Arben Ahmetaj: Sot kreditë e këqija janë 13.8% e ndoshta në rritje. Është problem serioz dhe është afër kalimit në moratorium kredish për shumicën e bankave. Cilësia e kolateralit është e pasigurt dhe ligji nuk merret dot me paparashikueshmërinë e riskut.
Pandeli Majko: A është diskutuar ky projektligj me operatorët e huaj bankarë që operojnë në Republikën e Shqipërisë? Lidhur me krijimin e bankës urë, mendoj se u diskutua deri diku në Komisionin e Ligjeve dhe mendoj se Parlamenti ka më shumë nevojë për informacion lidhur me të drejtat që i jepen Bordit të BSH për të marrë pronësinë e bankës, për të vendosur një administrator, pra pak a shumë, zoti Bode, bashkë me zotin Malaj, e kujton kohën e piramidave kur këtë rol që doni ti vini Bankës së Shqipërisë karshi bankave private drejt falimentimit e luante Deloitte & Touche me firmat piramidale.
Erjon Braçe: Pyetje për ministrin: A ka gjatë vitit 2010 banka që kanë operuar me rezultat financiar me humbje dhe cila është ecuria e tyre gjatë këtij viti?
Eduard Shalsi: Në vijim të pyetjes që kolegu im bëri për kreditë e këqija, nëse do të vazhdojë të përkeqësohet me ritme të tilla, a parashikon qeveria shqiptare ndonjë ndërhyrje për të lehtësuar këtë portofol? Pra, nëse do vazhdojë ky trend përkeqësimi i kredive, çfarë masash do marrë qeveria?
Rdvan Bode: Ky ligj rregullon aktivitetin ekonomik në një sektor që ka një sensibilitet shumë të veçantë që lidhet me sigurinë e depozitave të qytetarëve dhe po ashtu me sigurimin e burimeve financiare për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Sistemi ynë bankar u testua si sistemi më i qëndrueshëm dhe më likuid në rajon. Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave, zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tri ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit.
ADI SHKEMBI