Ardian Fullani emërohet për një tjetër mandat si Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Me 75 vota “pro” në Kuvend, votojnë edhe Ben Blushi me Arben Malajn
Në seancën e djeshme të Kuvendit u miratua edhe dekreti i Presidentit të Republikës, për emërimin e Ardian Fullanit, në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për një tjetër mandat 7 – vjeçar. Dekreti i presidentit u miratua me 75 vota “pro” të mazhorances, ndërsa opozita e refuzoi kandidaturën, në vijim të qëndrimit të mëhershëm në komisionin parlamentar të ekonomisë.
Vetëm dy deputetë të opozitës, Ben Blushi dhe Arben Malaj, shprehën votë aprovuese për kandidaturën e Fullanit, duke votuar “pro” emërimit të tij si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Vota e Blushit dhe Malajt erdhi në një kohë kur përfaqësuesit e opozitës në Kuvend paralajmëruan votën kundër, ndërsa Gramoz Ruçi, shkoi edhe më tej duke kërcënuar me prishjen e paktit mazhorancë – opozitë.
Kandidatura e Fullanit erdhi si propozim i Presidentit të Republikës, edhe pse konsiderohej si kandidatura më e mundshme, ndërsa mazhoranca kishte dhënë mirëkuptimin paraprak për këtë emër, duke e propozuar sërish për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, dy javë më parë. Neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë që neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Një javë më parë, Kuvendi miratoi gjashtë anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita gjetën gjuhën e përbashkët për tri nga kandidaturat: Ermelinda Meksi e propozuar nga Partia Socialiste, Dhori Kule i propozuar nga Partia Demokratike dhe Ela Golemi e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë, 3 kandidaturat e tjera, ajo e Ardian Fullanit, Petraq Milos dhe Elisabeta Gjonit, të propozuara nga shumica parlamentare, kanë marrë votat e mjaftueshme, por jo ato të opozitës.