Bode: Sistemi ynë financiar, ndër më të qëndrueshmi, ndryshimet ligjore rrisin sigurinë e bankave

Ligji “Për bankat”, debate në Kuvend
Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh dje në seancën plenare të Kuvendit, se sistemi bankar shqiptar i qëndroi krizës financiare e ekonomike globale, ndërsa përmirësimet që i janë bërë ligjit “Për Bankat”, synojnë rritjen e sigurisë së tij në këto kushte. Ministri sqaroi opozitën se kriza financiare në botë testoi ekonominë tonë, ndaj sistemi ynë sipas tij është nga më të qëndrueshmit.
“Sistemi ynë bankar përbën sistemin më vaskular të ekonomisë, përbën segmentin më vital dhe më të qëndrueshëm. Kriza financiare globale testuan dhe kapacitetet që ka sistemi ynë financiar dhe ekonomia shqiptare për të qëndruar përballë zhvillimeve aspak të dobishme që pati. Qëndrueshmëria e sistemit financiar shqiptar është vlerësuar edhe në të gjitha raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë ekonomikë dhe politikë, u shpreh ministri Bode, duke theksuar se, kjo erdhi si rezultat i reformave dhe standardeve të studiuara shkencërisht dhe zbatuara rigorozisht nga Banka e Shqipërisë. Propozimet në ligjin ‘Për bankat’, sipas ministrit Bode, vinë për shkak të përmirësimeve dhe dinamikës së sistemit tonë bankar në këto vite. Janë propozime që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtar, nga Banka Qendrore Europiane, në kuadrin e përafrimit gjithnjë e më shumë të standardeve të sistemit tonë bankar me atë evropian”, tha ministri Bode.
Kreu i Financave bëri të ditur se gabimet që çuan ekonominë globale në krizën më të thellë bënë që të nxjerrim një sërë mësimesh për të forcuar standardet dhe kriteret e mbikëqyrjes, për t’a konsideruar tregun monetar e financiar si një treg ku vigjilenca e institucioneve të ngritura të mund të plotësojnë në funksion të interesit publik në radhë të parë misionin e tyre.
“Ky ligj reflekton nevojën për të bërë mbikëqyrjen e këtyre tregjeve kaq sensibël për ekonominë. Krijon nismën dhe reflekton nevojën për rritjen e kompetencave mbikëqyrëse dhe marrjen e masave të duhura në raport me bankat nga ana e BSH-së”, theksoi Bode.
Ndër ndryshimet kryesore, ministri Bode veçoi disa përmirësime që kanë të bëjnë me paranë elektronike, me format e parasë dhe me të drejtën që përdorimin e parasë elektronike mos ta kenë vetëm bankat, por edhe shërbimet e tjera të ofruara nga sistemi financiar bankar.
Minstri Bode komentoi edhe raportin më të fundit të Bankës Botërore. Sipas tij, në këtë raport bëhet e ditur se sistemi bankar në Shqipëri është më stabël.
Ndërkaq, nga ana tjetër opozita kërkoi sqarime në lidhje me projektligjin për bankat. Deputeti Pandeli Majko, duke e cilësuar si çështje me rëndësi jetike për vendin kërkoi nga ekspertët se çfarë efektesh ekonomike sjellin këto ndryshime në ligj, në një kohë krize botërore.
“Kam dy pyetje. Së pari, a është diskutuar me ekspertë të huaj. Dhe pyetja e dytë ka të bëjë me bankën urë. Sot jetojmë në kohë krize ndaj duhet të informohemi në lidhje me këto vendime të rëndësishme. Ndaj ekspertët të na japin më shumë qartësi”, u shpreh Majko.
Ndërsa ministri Bode u përgjigj se ndryshimet në ligj janë të sugjeruara nga partnerët ndërkombëtar, duke garantuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar përballë efekteve të krizës ekonomike në dy vendet fqinje, Itali dhe Greqi.