E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, partitë e vogla: Të përmirësohet sistemi zgjedhor

Partitë e vogla të majta dhe të djathta kërkuan dje sistem proporcional me korrektim kombëtar, votim elektronik dhe lista të hapura

TIRANË Në prag të fillimit të punës së komisionit për reformën zgjedhore, partitë e vogla të majta e të djathta janë mbledhur dje në një tryezë të përbashkët për të përcjellë shqetësimin kryesor që ato kanë lidhur me barazvlerësimin e votës, që për to nënkupton përmirësim të sistemit aktual"...Ne besojmë se ka shumë hapësirë për të eliminuar të gjitha ato marifetet e të ashtuquajturit ‘sistem spanjoll’, i cili cenon barazinë e votës, kur këtë e garanton vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi është përqendruar pikërisht tek ajo që ai e cilësoi si tema kryesore e takimit, sistemi zgjedhor. "Vota duhet përkthyer drejt dhe qëllimi i sotëm i kësaj tavoline është pikërisht për të folur për çka është tema themelore, për sistemin zgjedhor, që është një element shumë i rëndësishëm për të prishur polarizimet artificiale, sepse tek ne sistemet kanë qenë demokratike si sistem, por janë aplikuar në mënyrë jodemokratike, në mënyrë deformuese, qoftë me 'Dushkun', apo qoftë me 'spanjollin' e shpërfytyruar", - tha Gjinushi. Edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu theksoi domosdoshmërinë e funksionimit normal të institucioneve shqiptare me një përfaqësim të drejtë bazuar në votën e qytetarëve. Duke kërkuar nga media 30 minuta mbledhje me dyer të mbyllura, pas takimit që zgjati më shumë se aq, kryetari i PDS-së, Paskal Milo deklaroi në emër të partive të vogla se, në komisionin për reformën zgjedhore duhet të merret parasysh përmirësimi i sistemit aktual zgjedhor. "Përfshirjen, si pjesë e domosdoshme të reformës zgjedhore, përmirësimin e sistemit zgjedhor përmes futjes së korrektimit kombëtar, pa pragje eliminuese dhe deformuese dhe që mundëson që çdo parti brenda koalicioneve të marrë mandatet që i takojnë sipas votave të fituara, si dhe balancimin e zonave zgjedhore duke ulur numrin e tyre", - tha kreu i PDS-së, Paskal Milo. Ai shtoi se sistemi aktual është zbatuar formalisht dhe cenon barazinë e votës mes qarqeve dhe mes koalicioneve. Partitë e vogla kërkuan edhe përmirësimin e procesit të administrimit të zgjedhjeve përmes strukturave jopolitike ose gjithëpërfshirëse, ashtu si edhe numërimin elektronik të votave dhe lista të hapura. “Partitë bien dakord të kërkojnë edhe numërimin elektronik të votave, lista të hapura. Partitë do konsultohen në vazhdimësi për çështje të tjera të reformës për të koordinuar qëndrimet e mëtejshme. Partitë ranë dakord që nga kjo tavolinë të nisë puna për një tryezë tjetër, atë të ekspertëve, për të detajuar mendimet që atje ku mundemi të përfaqësohemi dhe të flasim me një zë të vetëm”, - tha Milo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›