E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension dhe protesta në Fier, zgjidhet kreu i ri i Qarkut

Artur Shehu u zgjodh vetëm me votat e Aleancës për Qytetarin, ndërsa opozita bojkotoi, madje tentoi të mos lejonte zhvillimin e mbledhjes që e quan të jashtëligjshme

Artur Shehu, përfaqësuesi i Aleancës për Qytetarin, është zgjedhur dje kreu i ri i këshillit të Qarkut Fier me 55 vota pro dhe një votë kundër, pas sherrit dhe përplasjes mes deputetëve e simpatizantëve të opozitës dhe pozitës në sallën e Pallatit të Kulturës. Për t’iu shmangur bllokimit, mbledhja është zhvilluar më pas në ambientet e Hotel Fieri, ku opozita nuk ka marrë pjesë.

Zgjedhja

Shehu ishte kandidatura e vetme që u përzgjodh për të votuar në mbledhjen e 56 këshilltarëve të Aleancës për Qytetarin, mbledhje e cila u zhvillua në ambientet e Hotel Fieri, ku u zhvendos pas dështimit të saj në sallën e Pallatit të Kulturës paraditen e së mërkurës, për shkak të dyndjes së simpatizantëve të PS. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë deputeti i Partisë Demokratike, Qarku Fier, si dhe prefekti i qarkut, Bujar Hasa. Në fillim të saj u zgjodh komisioni i mandateve dhe këta të fundit pas verifikimit të mandateve kanë deklaruar se mandatet ishin në përputhje me ligjin. Me votim të këshilltarëve të pranishëm u zgjodh edhe komisioni i votimit. Të 56 këshilltarët u ftuan të votojnë në mënyrë të fshehtë. Në fund të procesit të votimit komisioni, duke lexuar votat e hedhura në kuti, deklaroi fitues Artur Shehun. Më pas u kalua në procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të këshillit të qarkut, post në të cilin u zgjodh Alfred Hoxha.

Sherri

Kjo mbledhje u ndalua paraditen e djeshme nga dhjetëra anëtarë të Partisë Socialiste, këshilltarë socialistë, drejtues të pushtetit lokal, por edhe deputetët e Partisë Socialiste në qarkun Fier që bllokuan sallën e Pallatit të Kulturës, e cila ishte përgatitur për mbledhjen e këshillit të qarkut. Turma është mbledhur fillimisht në sheshin përballë teatrit të qytetit dhe më pas kanë qenë kryebashkiaku Zeqaj dhe deputetët socialistë që janë drejtuar për nga salla e Pallatit të Kulturës, e cila ndodhet në një godinë me institucionin e prefektit. Deputetët kanë debatuar me forcat e policisë në hyrje të sallës, ndërsa më pas turma është futur në brendësi të saj, duke zënë karriget që ishin përcaktuar për këtë mbledhje të paralajmëruar. Letrat e njoftimeve dhe të dosjeve për çdo këshilltar janë grisur në sallë. Socialistët janë shprehur se nuk do të lëvizin nga salla, pasi mbledhja, sipas tyre, ishte e jashtëligjshme dhe se gjykata kishte vendosur anulimin e saj. Situata ka qenë e ndezur gjatë gjithë kohës.

Reagimet

Prefekti është shprehur se mbledhja do të vijojë në një tjetër ambient nëse salla nuk boshatiset. Ndërsa Vangjel Ndreka, i zgjedhur në një mbledhje të mëhershme, e cila u padit dhe u rrëzua në gjykatë, si kryetar i Këshillit të Qarkut, ka pohuar se prefekti po shkel ligjin dhe vendimin e gjykatës që, sipas tij, anulonte këtë mbledhje. Mbledhja që është kundërshtuar nga ana e Aleancës për të Ardhmen dhe përfaqësuesit e saj janë shprehur se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, ku ata kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të pezullimit të aktit administrativ që ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të këshillit, nënkryetarit dhe kryesisë së këshillit të qarkut Fier. A.Velo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›