E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët Ndërtimore inspektojnë bregdetin për ndërtime pa leje

24/05/2010 Durrës, çelja e sezonit turistik

DURRES- Vija bregdetare në veri e në jug të qytetit të Durrësit ka nisur të inspektohet nga Inspektorati i Ndërtimit të bashkive e komunave për të parandaluar ndërtimet e paligjshme. Afrimi i sezonit të verës ka shtyrë këtë strukturë të kalojë të gjithë vijën bregdetare të shfrytëzuar për pushime në rërë dhe të ndalojë apo prishë objekte që më pas dëmtojnë zhvillimin e turizmit. Riorganizimi i strukturave të Policisë Ndërtimore në nivel njësie vendore ka kërkuar ndërhyrjen e prefekturës. Institucioni i prefektit ka ulur në një tryezë drejtuesit e Bashkisë së Durrësit, Rrashbullit, Katundit të Ri, Manzës dhe Sukthit duke u lënë atyre edhe një sërë detyrash. Katër grupe pune janë ndarë në dy drejtimet duke synuar të kenë deri në fund të muajit një njohje të plotë për gjenden në terren. Në bazë të informacioneve që ka marrë prefektura përgjatë bregdetit ka disa ndërtime, të cilat nuk janë legale. Prefekti Genci Alizoti ka bërë të qartë se më e pastër nga këto ndërtime ka qenë pjesa e bregdetit në veri të Durrësit. Në rërën nga Bisht Palla deri në Kepin e Rodinit nuk ka ndërtime, të cilat mund të bëhen problem më pas për zbatimin e projekteve të zhvillimit, ndonëse ka të tilla që do të shemben. Sipas prefekturës bregdeti që administron Bashkia e Sukthit dhe e Manzës dhe komuna e Katundit të Ri nuk paraqesin shqetësime. Krejt ndryshe paraqitet gjendja nga Currilat në Plepa dhe nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, pjesë kjo e territorit të prefekturës së Durrësit dhe që administrohet nga bashkia dhe nga komuna e Rrashbullit. Për shkak të dyndjeve të mëdha të pushuesve në këtë pjesë të bregdetit, janë bërë ndërrime me dhe pa leje dhe se përgjithësisht këto objekte akomodimi e argëtimi nuk janë pjesë e masterplaneve të zhvillimit perspektiv të zonës. Pikërisht ndërtimet sidomos tek Shkëmbi i Kavajës kanë tërhequr edhe vëmendjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili disa vite më parë ka përgatitur dy dosje për Prokurorinë e qytetit bregdetar. Bëhet fjalë për firmosjen nga komuna e Rrashbullit të një numri të konsiderueshëm leje ndërtimi për objekte 2 ose 3-katëshe, të cilat në fakt janë kthyer në ndërtime shumëkatëshe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Prokuroria e Durrësit ka depozituar 109 vendimet e depozituara dhe se bëhet fjalë për ndërtime, të cilat i përkasin periudhës 2004, 2005 dhe 2006. Ndërtimet duke filluar nga ish-komanda e NATO-s deri tek Përroi i Agait kanë kaluar në rivlerësim nga komisioni përkatës për të parë procedurën e ndjekur nga komuna. Sipas materialit të KLSH-së, komuna akuzohet për 109 vendime që nuk janë dërguar në prefekturën e qarkut Durrës për miratim, për 50 dosje në të cilat mungon dokumenti i pronësisë së truallit ku është bërë ndërtimi si dhe për 80 dosje të tjera në të cilat ndërtimet 2-3-katëshe që parashikoheshin në lejen e miratuar, janë kthyer të ndërtime që nuk kanë respektuar këto kondicione. Me të tilla probleme ndeshet edhe Bashkia në Durrës, pasi në sipërfaqen që ajo administron ka shumë objekte të ndërtuara pa leje. Institucioni i prefektit ka bërë të qartë se do të ketë reagime të shpejta për të bllokuar çdo ndërtim që nuk plotëson kriteret e duhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›