E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbajtja e tezës për Letërsinë e Gjuhën shqipe

24/05/2010 Matura 2010, ngujohen nesër në ambientet e AVA-s hartuesit e tezave të provimit

Rregullat që duhet të plotësohen për të mos u penalizuar gjatë zhvillimit të provimit

Maturantët tashmë po zhvillojnë përgatitjet e fundit për provimin e parë të Maturës 2010, që do të zhvillohet në nisje të javës së ardhshme. Gjatë këtyre ditëve të mbetura, mësuesit e shkollave të mesme të lëndës së Letërsisë duhet të orientojnë maturantët në lidhje me temat që do të bien në ditën e provimit, duke shpjeguar të gjitha temat e paqarta që vetë nxënësit kanë. Ndërkohë që duke filluar nga dita e nesërme, në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve do të “ngujohen” specialistët e përzgjedhur për hartimin e tezës finale, që do të zhvillohet më 1 qershor. Këta specialistë do të qëndrojnë në ambientet e kësaj qendre deri në ditën kur do të nisë provimi, kjo në mënyrë që të mos ketë rrjedhje të informacionit. Gjatë gjithë kohës këto ambiente do të qëndrojnë të survejuara nga kamerat dhe forcat e policisë, në mënyrë që të mos lejohet rrjedhje e informacionit mbi llojet e pyetjeve.

Përmbajtja

Përmbajtja e pyetjeve të letërsisë dhe Gjuhës shqipe, do të jetë e ndryshme, në varësi të llojit të shkollës së mesme që ka mbaruar maturanti. Sipas specialistëve, testi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe ka si qëllim vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme, formimin letrar e gjuhësor të tyre. Teza do të përgatitet duke u mbështetur në linjat e përmbajtjes, të përshkruara në programin orientues që u është dhënë prej kohësh shkollave përkatëse. Testi përshtatet me drejtimin e gjimnazit apo llojin e shkollës së mesme, teksa pyetjet lidhen me fragmente veprash nga autorë të përcaktuar më parë. Testi do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila pjesë e testit përmban fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave dhe gjinive të ndryshme letrare, ku përfshihen pyetje bazuar në pjesën e tekstit; pyetje që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës dhe fantazisë së nxënësit, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Vështirësia e pyetjeve do të jetë e përshtatur për të tri nivelet. Testi i provimit përmban 25 kërkesa, nga këto13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Në total, për të marrë vlerësimin maksimal, maturanti duhet të mbledhë 50 pikë. Ndërsa koha e përcaktuar në dispozicion të çdo nxënësit për të dhënë përgjigjet e sakta do të jetë vetëm 2 orë e 30 minuta.

Kushtet

Dy provimet e detyruara do të jenë kusht i domosdoshëm për të vijuar më tej aplikimet për procedurën e pranimeve në universitete. Kandidatët që do të vlerësohen me notë jokaluese në këto dy provime nuk do të ndalohen për të marrë pjesë në lëndët me zgjedhje, por do ta kenë të pamundur që të garojnë për degët e universiteteve. Kjo, pasi kushti kryesor i maturës është marrja e rezultateve pozitive në të katër provimet për t’u përfshirë në procesin e përllogaritjes përfundimtare. Në përzgjedhjen e kandidatëve fitues që do të pranohen në universitete, rol do të luajë jo vetëm nota e arritur në të katër provimet, por dhe mesatarja e shkollës së mesme dhe llojet e koeficientëve. Për këtë, mesatarja e shkollës së mesme, si dhe notat e të katër provimeve (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara) do të vlerësohen me 20% të numrit të përgjithshëm të pikëve të rezultatit final që mbledh secili prej aplikuesve. Po sipas udhëzimit të publikuar pak ditë më parë nga MASH-i, pohohet se përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale do të jetë e ndryshme. Konkretisht, për shkollat profesionale dhe socialkulturore ndarja do të jetë si më poshtë: në shkollat profesionale, Letërsia 15 për qind dhe Matematika 25 për qind; në shkollat socialkulturore, Letërsia dhe Gjuha shqipe 25 për qind dhe Matematika 15 për qind; në shkollat pedagogjike, Letërsia dhe Gjuha shqipe 20 për qind dhe Matematika 20 për qind.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›