PD-PS, rezultatet me zero vota
ARistir Lumezi
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vazhdojnë të kenë zero vota në zona të ndryshme të vendit. Sipas tabelave përfundimtare të rezultateve të KQZ-së, rezulton që PS të mos ketë marrë asnjë votë në 10 qendra votimi, ndërsa PD rezulton me asnjë votë në 7 qendra votimi. Kryesisht demokratët rezultojnë pa asnjë votë kryesisht në zonat veriore të vendit, Kukës, Dibër, Shkodër por dhe Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndarja e barabartë e anëtarëve të KZAZ-ve, mes të djathtëve dhe të majtëve, nuk ka lejuar krijimin e shumicave dominuese në komisionet ku janë numëruar votat e 28 qershorit dhe ka dalë rezultati për çdo zonë. Por në 10 qendrat e votimit ku socialistët nuk kanë marrë asnjë votë, në katër KZAZ kryetari i ka takuar PS-së, ndërsa PD ka drejtuar gjashtë Komisione të tjera zonale. Ndërsa Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë votë në 7 qendra votimi. Këtë penalizim demokratët e kanë marrë kryesisht në jug të vendit, në qarqet Berat, Gjirokastër, Korçë, por dhe Tiranë e Kukës. Por ndryshe nga PS, në shtatë qendra votimi ku demokratët nuk kanë marrë asnjë votë, në pesë prej tyre, kryetari i KZAZ-së i takonte PD-së, vetëm dy prej tyre drejtoheshin nga socialistët, ndërsa numri i komisionerëve ishte i balancuar majtas dhe djathtas, përfshirë këtu dhe komisionerët e PSD-së dhe ata të PR-së. Nëse do të bënim një ballafaqim me zgjedhjet e shkuara parlamentare, ato të 2005, do të shohim se të dyja partitë, si PD ashtu dhe PS kanë ulur numrin e qendrave të votimit ku nuk marrin asnjë votë. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Partia Demokratike e cila doli dhe fituese e atyre zgjedhjeve, nuk kishte marrë asnjë votë në 34 qendra votimi, të cilat shtriheshin kryesisht në 3 qarqe, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë, por dhe në ndonjë qendër në Tiranë, e Lezhë e Shkodër. Ndërsa socialistët, në 2005, nuk morën asnjë votë në 18 qendra votimi, të shtrira kryesisht në Vlorë, Gjirokastër, Fier e Shkodër. Por ndryshe nga 2005, në zgjedhjet e fundit pati shumë akuza për numërime të këqija dhe shumë të këqija, vërejtje që raportoheshin dhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Por si komisionerët e dy partive ashtu dhe vëzhguesit e procesit të numërimit të votave nuk kontestuan apo regjistruan në procesverbalet përfundimtare vërejtje port procesin e numërimit. Madje në KQZ, por dhe në Kolegj Zgjedhor, si PD ashtu dhe PS nuk paraqitën asnjë ankimim për rezultatet me zero në ato qendra votimi.