Nuk deklaruan interesat private, gjobiten 7 zyrtarë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë gjobit 7 zyrtarë për vonesa në deklarim të interesave private të pasurisë. Zëdhënësi i ILDKP-së, Albi Serani bëri të ditur se kërkohet nga subjektet që deklarojnë interesat e tyre private periodike/vjetore që të respektojnë afatin ligjor, brenda datës 31 Mars 2010, për dorëzimin e formularit me ndryshime të interesave private (pasurisë) gjatë vitit 2009. Duke iu referuar parashikimeve ligjore, Inspektorati i Lartë ka vendosur masën administrative "gjobë" për 7 zyrtarë, nga të cilët 5 subjekte "para fillimit të detyrës" dhe 2 subjekte "pas largimit nga funksioni". Këta zyrtarë nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara shprehimisht në ligj për subjektet e rinj, brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës publike dhe për subjektet që largohen, brenda 15 ditëve nga largimi prej funksionit zyrtar. Duke rikujtuar sanksionet e parashikuara në nenin 44/c të ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", sipas të cilit "për mos deklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20.000 (njëzet mijë) lekë deri në 30.000 (tridhjetë mijë) lekë", ILDKP rithekson qëndrimin se do të aplikojë masa administrative përkatëse edhe për çdo zyrtar që fillon punë për herë të parë në një funksion zyrtar deklarues, apo për subjektet që largohen nga detyra dhe që nuk respektojnë detyrimin për deklarim në afatin e kërkuar ligjor. Për shtatë zyrtarët ILDKP-ja ka vendosur që t'i gjobisë me 20 mijë lekë të rinj.
te gjobiturit
1. Ilda Bozo Drejtor, Ministria e Punës 20.000 lekë
2. Alma Qamo Këshilltare Aut. Mbikëqyrjes
Financiare 20.000 lekë
3. Altin Kokalari Zv.Drejtor Ujësjellës-Kanal. 20.000 lekë
4. Dorjan Duçka Drejtor Ministria e Energjetikës
20.000 lekë
5. Sokol Seseri Ish-Përgj/Sektori D.P.Dogana
20.000 lekë
6. Përparim Jaku Përgj/Sektori D.P.Dogana 20.000 lekë
7. Vasil Shandro Ish-regjistrues ZVRPP, Lushnje
20.000 lekë