PD-PS vijojnë debatin për raportin e TI-së
Raporti i TI-së, që tregon indeksin e korrupsionit në vend, shkaktoi sërish debate mes PD-së dhe PS-së. Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, deklaroi dje se është domethënës fakti që ambasadorët e BE-së ndiejnë detyrimin t‘i komunikojnë publikisht qeverisë së familjes se adresimi i plagës së korrupsionit është "thelbësor për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian". Sipas saj kërkohen "urgjentisht rezultate konkrete", provon dhe njëherë se sa boshe janë pretendimet e Sali Berishës dhe oborrit të tij për mrekullirat e arritura në procesin e integrimit, ku lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë një ndër prioritetet parësore. "Në vend që të tallet me të madh e të vogël duke akuzuar opozitën, ai bën mirë të fillojë të na tregojë se ka vullnetin për ta adresuar këtë problem, duke filluar me Fatmirin, Damirin, Lulzimin, Sokolin, Fahriun, Shkëlzenin, Argitën, Rrahmanin... e gjithë të tjerët", tha Xhaçka. Ndërsa në reagimin e selisë blu, zëdhënësja Erla Mëhilli deklaroi se e vërteta është që kështjella e vetme e korrupsionit në Shqipëri ka mbetur Bashkia e Tiranës. "Korrupsionin e mbron Edi Rama, që e ka kthyer praktikën e marrjes së lejeve të ndërtimit në praktikën më korruptive dhe abuzuese në planet, ku njerëzve të thjeshtë u duhen 400 ditë për të marrë një leje ndërtimi dhe ku të vetmit njerëz për të cilët aplikohen procedura të përshpejtuara janë rradha e deputetëve që Rama i ka futur në vathën e bashkisë", tha ajo.