Obama i lë lamtumirën Kinës nga Muri i Madh
Presidenti amerikan, Obama, i ka dhënë fund vizitës së tij të gjatë në Kinë me një shëtitje në Murin e Madh Kinez. "Është diçka magjike. Të kujton se sa shpejt ecën koha dhe se qëndrimi ynë këtu në tokë është kaq i shkurtër. Ndaj do të ishte mirë që të përpiqeshim të bënim më të mirën tonë", ka thënë ai në një moment reflektiv. Muri i Kinës ishte në axhendën e vizitave të Obamës në Kinë. Ai ka shëtitur për një gjysmë ore në këtë vend historik dhe të jashtëzakonshëm i ndjekur vetëm nga disa fotografë. Vizita në Murin e Madh Kinez dhe në Qytetin e Ndaluar ishin të vetmet shkëputje turistike të Obamës në turneun e tij aziatik, i pari që ka ndërmarrë që pas marrjes së presidencës. Kjo vizitë kishte si qëllimi rigjallërimin e marrëdhënieve të vendit të tij me zonën aziatike me aleatët e rinj dhe ata të vjetër. Ai u përpoq që të përfitonte nga momenti pozitiv me Kinën për të thelluar marrëdhëniet me këtë vend që është shndërruar një fuqi e jashtëzakonshme ekonomike në botë. Kina është një vend ku historisë i jepet një vlerë e veçantë. Për këtë, kreu i legjislaturës kienze, Wu Bangguo i tha Obamës të hënën: "Nëse dëshiron që të dish për Kinën e 100 viteve të fundit duhet të shkosh në Shangai, për 1000 vitet e fundit duhet të shohësh Pekinin, ndërsa për 2000 vitet e fundit duhet të shkosh në Xian, kryeqyteti perandorak i Kinës. Obama ka shfaqur admirimin dhe befasimin e tij me dinamizmin e Shangait dhe me të rinjtë e jashtëzakonshëm të këtij qyteti. Pas vizitës në Murin Kinez që i dha fund edhe qëndrimit të Obamës në Kinë, Presidenti ka shkuar në Korenë e Jugut, vend në të cilin do të diskutojë kryesisht në lidhje me ambicien bërthamore të Koresë së Veriut.