Parlamenti miraton në parim buxhetin e rritjes së pagave dhe të pensioneve
Kryeministri Sali Berisha ka zbuluar para ligjvënësve prioritetet e buxhetit të 2010-s, duke rikonfirmuar aksionet sociale të rritjes së pagave e pensioneve, por edhe duke riftuar opozitën për një bashkëpunim të ri, për hir të reformave që kërkon BE-ja
Kryeministri Sali Berisha i bëri edhe një herë thirrje opozitës që të lerë menjanë bojkotin dhe të rikthehet në parlament në këto momente të rëndësishme për vendin.
Gjatë fjalës së tij në kuvend, ku u diskutua dhe u miratua në parim projektbuxheti për vitin 2010, kreu i qeverisë Berisha tha se është i gatshëm të bëjë çdo kompromis me opozitën, por kurrsesi nuk mund të diskutojë për zgjedhjet e certifikuara. Berisha theksoi se, për zgjedhjet është dhënë tashmë verdikti final nga gjykatat dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ketë kompromise për to. Duke marrë shkas nga fjalimi i kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili bëri thirrje për konsensus politik, Sali Berisha tha se Edi Rama në asnjë festë, nuk do mund të nxijë aktin historik të zgjedhjeve të lira që Shqipëria zhvilloi, përpos se të merret me shpifje dhe trillime. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi sulmet e Ramës, të cilat nuk kaluan përtej shpifjeve dhe trillimeve të paprecedentë, të një megafoni gënjeshtar. “Z. Dule, thuaji atij shefit të opozitës, i cili ka tre muaj që shan me të parë e me të mbrapë, me grua, me vajzë, me nipër me mbesa e të gjithë me radhë dhe unë sërish në emër të disa parimeve të tjera vijoj të mbështes, thuaji atij shefit të opozitës, që ka tre muaj që me megafonë shpif çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë për pronat e Sali Berishës kur ai ka vetëm një apartament dhe çdo pronë tjetër i falet çdo shqiptari dhe unë si përmend asgjë përveçse një ftesë. I thuaj se me asnjë forcë, nuk do mund të nxish aktin historik të zgjedhjeve të lira që zhvilluam, i thuaj mund të bësh ç’ë duash, çdo veprim, çdo akt, por kompromis me zgjedhjet e certifikuara unë nuk të bëj. Në dy aspekte, së pari s’dal kurrë mbi vendimin e gjykatave, kategorikisht. E dyta të mos mendojë ai se më imponon koalicion apo kompromis historik, absolutisht jo, në qiell dhe të tokë ky do zbresë, ky koalicion do përmbushë detyrimet para shqiptarëve, duke thënë këto, siç e sheh zotëri, në vend të argumenteve, ka përdorur shpifjet. Në vend të fakteve ka përdorur sharjet. Le të vazhdojë t’i përdorë, unë do të përdor vetëm një ftesën, ftesën dhe vetëm ftesën”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë nënvizoi se me mos kthimin e opozitës në Kuvend, mazhoranca është e detyruar të vazhdojë përmbushjen e reformave, për të shmangur çdo mangësi ligjore që lidhet me procesin e integrimit.
“I kam dhënë një paketë ftesë, urdhëro të ulemi, e ftoj, përndryshe ne do vazhdojmë reformat, ju garantoj se Shqipërisë nuk i mungon asnjë ligj i vetëm që mbyll dyert e integrimit apo vizave. Jo dhe jo, ky vend funksionon mbi bazën e dinjitetin demokratik, mbi bazën e ligjeve dhe ekonomisë së tregut. Ka nevojë për përmirësime, por nëse dikush mendon se të marrë peng vendin edhe t’u thotë shqiptarëve, ç’u duhet Europa kemi Haxhi Qamilin dhe unë do t’u them mbaj Haxhi Qamilin ne do zgjedhim Europën. S’kemi rrugë tjetër”, deklaroi Berisha.
Kryeministri theksoi dhe njëherë para ligjvënësve demokratë se zgjedhjet e lira kanë qenë qëllimi më madhor i jetës së tij.
“Dua të rrëfej një gjë shumë të fshehtë timen. Zgjedhjet e lira kanë qenë një qëllim, ndoshta më madhor i jetës sime, më madhor se politika, më madhor se kryeministria, më madhor se çdo gjë tjetër. Kam shëtitur Europën dhe botën, por ju garantoj, edhe kur jam këtu, për fjalën time, në çdo rast dhe çdo rrethanë, kam pasur me vete brengën e thellë se vendi im nuk zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kam ndjerë kënaqësi dhe krenari të madhe kur ato u realizuan. Kam ndjerë kënaqësi të madhe, kur kam dorëzuar tek Mirel Topolanek, kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. I kam thënë mikut tim çek se nuk kërkoj ta prekësh fare deri sa të bëhen zgjedhjet. Vetë fakti që e pranoi me konsensus, pasi kishte pyetur të gjithë kolegët e tij, ishte një besim në paradhënie, për aq sa ishte. Por kërkesa ime ishte e prerë, duhet të bëhen zgjedhjet, duhet të faktoj, përkushtimin tonë ndaj zgjedhjeve të lira dhe pastaj të vlerësohemi. Kështu ndodhi”, tha Berisha.
Buxheti i vitit 2010, buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve
Në fjalën e tij, në kuvend kryeministri Sali Berisha prezantoi para deputetëve projektbuxhetin e vitit 2010. Berisha e vlerësoi buxhetin si historik sepse në të parashikohet rritja më e madhe e pagave se sa çdo buxhet tjetër i këtij kontinenti, në kohën e krizës më të thellë që nga vitet ’30 të shekullit të shkuar deri sot. “Në rast se vendet ish-komuniste në tërësi nga vendet baltike deri në vendet e Evropës juglindore, por edhe vendet e zhvilluara perëndimore, i pllakosi një krizë e thellë ekonomike, krizë e cila u shoqëruara me një rënie të rritjes ekonomike që varion nga 3-18 për qind, kjo nuk ndodhi me ekonominë shqiptare. Ndaj dhe në këto kohë krize, pavarësisht se kthetrat e saj janë të shtrira në të gjitha drejtimet, ne guxojmë t’u paraqesim shqiptarëve një buxhet që bazohet në rritjen ekonomike, një buxhet që bazohet në rritjen e të ardhurave prej 12 për qind, një buxhet që bazohet në rritjen e investimeve publike, dhe mbi të gjitha një buxhet që bazohet në rritjen e madhe të faturës sociale duke bërë që kjo qeverisë të jetë gjithnjë e më sociale”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, buxhetin e 2010-ës, kryeministri Berisha e vlerësoi si buxhetin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe të realizimit të Shqipërisë Evropiane.
“Buxheti i 2010-ës është buxheti i parë mbi të cilin ne mbështesim lëvizjen e lirë të qytetarëve. Lëvizja e lirë ka çmimin e vet dhe jo të lehtë, është një betejë e tërë kundër krimit të organizuar, janë fonde të mëdha që përdoren për modernizimin e pikave doganore në të gjithë vendin. Janë shumë, e shumë standarde të tjera, por lëvizja e lirë është gjëja më e shumëpritur për ju”, tha Kryeministri.
Për Kryeministrin Berisha, Risia e buxhetit të ri, është dalja e Shqipërisë përfundimisht nga varfëria
“Ne mbajmë zotimet tona ne nuk do shkojmë drejt Europës me prapambetjen tonë, ne do shkëputemi nga kjo prapambetje dhe do shkojmë në BE si një shoqëri e zhvilluar.
Gjatë 2010-ës me skemën e re ne do t’i japim një përgjigje përfundimtare mjerimit. Ndihma ekonomike do ketë qëllim kryesor nxjerrjen e çdo familjeje nga mjerimi dhe varfëria. Do ketë kritere të reja dhe të ndershme për dhënien e saj. Qeveria do të mbështesë çdo drejtim në mbështetje të kësaj reforme”, u shpreh Kryeministri.
Infrastruktura moderne, parathënia e buxhetit ambicioz
Kreu i qeverisë e cilësoi infrastrukturën rrugore në vend si jetike, duke theksuar se modernizmit të saj i përgjigjen e duhur buxheti i vitit 2010. Berisha specifikoi projektet më të rëndësishme që po realizohen në vend, për të cilat shtoi se vitin e ardhshëm pjesa dërrmuese e tyre shkon drejt përfundimit.
“Ky buxhet është buxheti i infrastrukturës moderne të Shqipërisë. Në Shqipëri po ndërtohen rrugë kryesor. Pas rrugës Durrës-Tiranë-Prishtinë, është rruga tjetër e Arbrit, rrugë e kombit, rrugë e cila shkurton me 50 deri në 70 për qind distancën e Peshkopisë, Bulqizës, Klosit me Tiranën. Por shkurton me 100 kilometra distancën e Shkupit me Tiranën, i bën portet e Shqipërisë portet më kryesore në rajon. Qeveria do të hapë, do të investojë në të gjithë trajektoren e kësaj rruge edhe dy tunelet e saj. Gjithashtu, ky vit shënon fillimin në shkallë të gjerë të investimit në Boshtin e Jugut. Boshti i Jugut është projekti kryesor i këtij mandati për sa i përket punëve publike. Ky bosht është jashtëzakonisht i kushtueshëm, ky bosht ka së paku tre tunele, njëri Tiranë-Elbasan dhe dy të tjera janë në trajektoren Berat-Tepelenë. Ky bosht është jetik për ta bërë Shqipërinë një vend modern, për të shpejtuar zhvillimin e saj. Jugu i Shqipërisë nëpërmjet këtij boshti do mund të vijë në Tiranë në një kohë 60% më të shkurtër se tani. Tuneli i Elbasanit që në fakt është tuneli i gjithë jug-lindjes shkurton distancën me Korçën, Pogradecin, Kolonjën, Gramshin, Skraparin, Beratin, Tepelenën, Sarandën dhe Delvinën”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha gjithashtu se gjatë këtij viti janë një seri rrugësh të tjerash që do punohet në të gjithë trajektoren.
“Qaf Plloç - Qukës një rrugë e rëndësishme, Fushë Krujë - Milot do bëhet me 4 korsi, Golem –Rrogozhinë me 4 korsi, baipass-i i Vorës, baipass-i i Rrogozinës, baipass-i i Xhafzhotaj, Rruga Levan - Vlorë, Levan-Tepelenë, Fier - Levan. Në të katër anë në rrugë kombëtare do punohet më shumë se asnjëherë tjetër. Janë qindra e qindra kilomentra që do asfaltohen në rrugë dytësore të cilat do investohen 400 milion dollar. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj donatorëve që po financojnë projektin transformues për Shqipërinë”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Sipas kryeministrit, Shqipëria do të investojë në vitin që vjen në të gjithë infrastrukturën Bregdetare duke e transformuar atë, çdo kilometër e kësaj rruge do jetë e asfaltuar, nga Velipoja në Ksamil.
Berisha veçoi si një nga projektet më të mëdha Unazën verilindore dhe juglindore e Shqipërisë e cila fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë. Kjo unazë prek qytetet e Tropojë, Krumë, Kukës, Peshkopi, Librazhd, Kolonjë, Përmet, Delvinë do bëhet kjo.
“Çmimi i këtyre 300 kilometrave nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka që ata dhjetëra e dhjetëra banorë që banojnë në periferi të vendit do të mund të zbresin në rrugë kombëtare brenda 15 minutave ashtu siç kemi premtuar. Rrrugët do ecin drejt Alpeve të Shqipërisë, maleve të Shqipërisë, Tomorit, Çajupit në mënyrë që gradualisht t’i bëjmë disponibël për turizmin”, tha kryeministri.
Për Kryeministrin, rritje do të kenë në këtë buxhet edhe fondet për njësitë vendore, të cilat do të shkojnë në 40 miliardë lekë.
“Në buxhetin e vitit 2010 ne do të arrijmë në 40 miliardë fondet për qeverisjen vendore, për zonat rurale, për bashkitë dhe komunat e vendit. Dua të garantoj se personalisht e konsideroj jetik partneritetin me ta”, u shpreh më tej Kryeministri.