Braçe: Prokuroria të hetojë mbi "Armo"-n
Deputeti socialist, Erjon Braçe, i kërkoi dje prokurorisë që të hetojë dëmin e shkaktuar shtetit shqiptar. Sipas tij, dëmi efektiv në veprimtarinë ekonomiko-financiare, në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore në "Albpetrol sh.a." Patos, në vlerën e 2610563000 lekëve të reja, përfaqëson moslikuidimin e faturave të shitjeve të produkteve nga "Armo" deri në fund të vitit 2008 dhe nga diferenca në çmim të këtyre shitjeve. Deputeti i selisë rozë vërejti se dëmi është barabartë me rrogat për një vit e tetë muaj të mbi 4000 naftëtarëve të Kuçovës, Fierit, Ballshit, të cilët kanë tre muaj pa marrë rrogat e ligjshme. Thënë ndryshe, sipas tij, dëm i barabartë me 237 mijë pensione mujore të atyre njerëzve të moshës së tretë që ndjejnë më shumë se kushdo me paratë e munguara në pensionet e tyre, peshën e korrupsionit të FAMILJES që na qeveris. "Mjafton vetëm ky fakt që prokuroria të nisë hetimet, të zbërthejë juridikisht mekanizmin e krimit me këtë dëm efektiv, të ndëshkojë zyrtarët e përfshirë në këtë krim penal, të kthejë paratë në arkat e shtetit, duke zbrazur arkat e familjes", tha ai. Deputeti socialist nuk nguroi të bëjë përgjegjës Kryeministrin Sali Berisha për një numër të konsiderueshëm skandalesh të hapura kohët e fundit.