“Brenda 6-mujorit të parë të 2010-s, vendimi për hyrjen e Shqipërisë në zonën ‘Shengen’”

Liberalizimi i vizave, Zëvendëskryeministri Meta nënvizon vullnetin e qeverisë për të mbajtur premtimin
Qeveria do të mbajë premtimin e dhënë për liberalizmin e vizave brenda 6 mujorit të parë të viti 2010. Kështu u shpreh dje Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, gjatë mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Integrimit dhe Komisionit të Jashtëm, në Kryesinë e Kuvendit. Meta u shpreh se ekzekutivi shqiptar, do të realizojë çdo premtim për sa u takon vizave dhe integrimit evropian.
“Brenda vitit që vjen do të merret vendimi për liberalizimin e vizave. Ekziston vullneti i qeverisë për të realizuar këtë detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Meta.
Ministri Meta theksoi se Shqipëria po merr sinjale të njëpasnjëshme mbështetjeje të fuqishme nga të gjitha institucionet evropiane. “Javën e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë dërmuese rezolutën për liberalizimin e vizave të Ballkanit Perëndimor me BE. Në rezolutën me autore Tanja Fajon, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina propozohet të kalojnë në listën e bardhë “Shengen”, menjëherë sapo Komisioni të vlerësojë se ne kemi përmbushur detyrimet e mbetura nga udhërrëfyesi. Po kështu rezoluta propozon përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit, me një udhërrëfyes të ngjashëm me atë të vendeve tona. Kësaj rezolute iu bashkëngjit dhe një deklaratë politike shumë e rëndësishme, ku Parlamenti Evropian dhe Këshilli, pranuar edhe nga Komisioni, angazhohen për një trajtim urgjent të propozimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo ky të hartohet nga Komisioni”, shtoi ministri i Jashtëm.
Për sa u takon kritereve për të përfituar heqjen e regjimit të vizave, Meta veçoi si jetike pajisjen e qytetarëve me pasaportat e reja biometrike. Sipas shefit të diplomacisë deri tani janë prodhuar 260 mijë pasaporta biometrike, shifër kjo shumë e lartë krahasuar me vendet e tjera.
Duke komentuar bojkotin e opozitës dhe reprezaljet e Edi Ramës ndaj proceseve të integrimit të Shqipërisë, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vuri në dukje se opozita duhet të lerë mënjanë interesat e dyshimta dhe të vendosë në plan të parë bashkëpunimin me mazhorancën.
“Jemi gati të diskutojmë çdo gjë me opozitën. Roli i opozitës për vizat dhe integrimin është i pazëvendësueshëm”, deklaroi Meta.
Lidhur me statusin e vendit kandidat në BE, ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se brenda muajit dhjetor Komisioni do të dorëzojë pyetësorin, me anë të të cilit do të bëhet një vlerësim i hollësishëm i shkallës së përmbushjes së kritereve të Kopenhagës nga vendi ynë, përpara se të merret statusi e ri të vendit kandidat për në BE.
“Ky vendim tregon se Bashkimi Evropian është i bindur për përparimin e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane, por gjithashtu do të thotë angazhime e detyrime më të mëdha, më kërkuese dhe më impenjuese. Ministria e Punëve të Jashtme po bashkëpunon ngushtësisht me Ministrinë e Integrimit Evropian për të përballuar me sukses procesin e plotësimit të pyetësorit të KE”, vuri në dukje Meta.
Deklaron në kuvend ministri i Jashtëm Ilir Meta
“Opozita të vijë në parlament për të dialoguar, ose të bëjë dialog në rrugë me batanije”
Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm Ilir Meta i bëri thirrje dje gjatë fjalës së tij në parlament opozitës shqiptare, që të kthehet në Kuvend duke theksuar se dialogu politik bëhet vetëm në sallën e Kuvendit. Ministri Meta vuri në dukje se, “opozita ka dy rrugë, ose të vijë në parlament dhe të dialogojë me mazhorancën për kërkesat e saj, ose të bëjë ashtu siç duket se ka zgjedhur, dialog nga sheshi i protestës”, ironizoi Meta një qëndrim të tillë të socialistëve.
Zëvendëskryeministri Meta duke e konsideruar procesin e zgjedhjeve si një kapitull të mbyllur theksoi se mazhoranca është e gatshme për çdo zgjidhje që nuk cenon institucionet e pavarura të vendit.
“Askush nuk mund të kërkojë hapjen e kutive sepse çdo gjë duhet të bëhet në themel të shtetit ligjor. Zgjedhjet tashmë janë një kapitull i mbyllur, por opozita le të vijë në Kuvend dhe të dialogojë më shumicën parlamentare për çështje të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve”, u shpreh Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se zgjedhjet ishin më të mirat të bëra deri tani dhe realizuan standardet e OSBE/ODIHR, fakt që u bë i ditur edhe nga raporti i fundit i ndërkombëtarëve.
“Ky raport e bëri të qartë se nuk kishte manipulime të cilat që krijonin shqetësime për rezultatin, kështu që zgjedhjet përmbushën plotësisht standardet më jetike”, tha Meta. Sipas tij, gjërat janë shumë të qarta, duke sqaruar se mazhoranca e ka treguar vullnetin e saj politik për të zgjidhur çështjen edhe me faktin se i ka lënë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar që kërkoi për transparencën e zgjedhjeve.
Gjithashtu, Ministri i Jashtëm, Ilir Meta duke i cilësuar protestat e opozitës për hapjen e kutive si një alibi e edi Ramës ritheksoi se mazhoranca nuk mund të mbetet peng e kapriçove dhe interesave personale të kreut të opozitës.