E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi për reformat, Sanino sërish në Tiranë

Pritet të mbërrijë sot në Tiranë Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, në një përpjekje te re për ti dhënë një shtysë të fundit bisedimeve që po zhvillohen mes maxhorancës dhe opozitës për realizimin e reformave të kërkuara nga Brukseli. Burime diplomatike i thanë Zërit të Amerikës se përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian do të qëndrojë ne kryeqytet deri nesër e do të ketë takime me të dyja palët.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort në parim për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, i pari që lidhet me reformën zgjedhore dhe i dyti që ka të bëjë me një kërkesë të opozitës për ndryshime në rregulloren e Parlamentit, ndonëse kjo nuk është bërë ende publike, përsa kohë mbetet ende pezull çështja që ka të bëjë me ligjet që kërkojnë 3/5.

Kryetari socialist, Edi Rama, deklaroi të hënën se grupi i tij parlamentar do të paraqesë një axhendë të detajuar për miratimin e këtyre ligjeve. Nga ana e saj, shumica ka ushtruar trysni të vazhdueshme publike duke i kujtuar opozitës se ajo bllokoi procesin e integrimit për shkak të refuzimit për të votuar këto ligje e duke shtuar se sipas saj, opozita nuk ka dhënë asnjë argument ligjor se përse i kundërshton.

Por socialistët kanë përsëritur disa herë se sipas tyre, këto ligje kanë mangësi në përputhjen me standartet e kërkuara nga Brukseli. Ndërsa mosmarrëveshja për gjetjen e një zgjidhjeje brenda afateve reflekton edhe mosbesimin e thellë që ekziston mes palëve. Pritet që ndërhyrja e Sanninos  të shërbejë për të vënë ekuilibrin e nevojshëm. Vizita e tij në Tiranë 20 ditë më parë përshpejtoi procesin e diskutimeve mes shumicës dhe opozitës duke bërë që të kapërcehej ngërçi lidhur me reformën zgjedhore dhe atë për rregulloren e Parlamentit. / Zëri i Amerikës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›