E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PD: Porti i Durrësit, vjedhja më e madhe e pronës publike

Partia Demokratike e opozitës ka reaguar të mërkurën në lidhje me vendimin e qeverisë për Portin e Durrësit.

Në një deklaratë për mediet anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, theksoi se projekti i ndërtimeve Alabbar është vjedhja më e madhe  e pronës publike.

“Qeveria ka vendosur që  të hapë garën ndërkombëtare për një projekt qe kushton 390 milionë euro, pasi ka hartuar së bashku me konsulentin ndërkombëtar, të gjitha studimet përkatëse” tha zoti Bozdo. 

Zyrtari i lartë i opozitës shtroi një varg pyetjesh: “Përse kjo skemë nuk u zbatua edhe me projektin e ndërtimit të apartamenteve, hoteleve dhe marinës, dmth në projektin Alabar që kushton 2 miliardë euro? Përse, gara që zv/kryeministria Balluku e konsideron të domosdoshme, nuk u aplikua edhe ne rastin e projektit Alabar? Përse u negociua drejtërsëdrejti me Alabar, pa hapur garën dhe vendosur kritere specifike? Përse 80 deri në 150 ha i jepen pa garë Alabar për të ndërtuar dhe fituar? Përse Alabarit i falen 150 milionë euro ne taksa? Përse toka e ndërtimit i jepet me 1 euro, ndërsa për Portin e ri të Durrësit u dashka hapur gara?  Përse nuk u mor një konsulent ndërkombëtar që të përgatitej një projekt ndërkombëtar dhe i gjithë projekt të tenderohej ndërkombëtarisht? Cilin standard duhet të besojmë: atë që qeveria prezanton përpara ambasadorëve, apo atë që Rama zbaton me mikun e tij Alabar?”, tha zoti Bozdo.

Sipas anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, projekti i ndërtimeve “Alabar” është korrupsioni më harbut dhe arrogant që kjo qeveri ka bërë ndonjëherë.

Ai theksoi se, ky është një mashtrim i pastër, për ti shitur opinionit publik PPP mashtruese të radhës. Këtë e bën pikërisht ditën kur misioni i FMN deklaroi se PPP që kanë arritur në 40% të PBB, janë rreziku më i madh për ekonominë shqiptare dhe se qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë për tij.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›