Betimi i Ibrahimit si anëtar i Kushtetueses/ Ambasadorja Kim: Moment historik në zbatimin e reformës në drejtësi

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas betimit të Gent Ibrahimit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar si moment historik dhe të rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi.
Ambasadorja deklaron se zgjedhja e Ibrahimit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese është rezultat i bashkëpunimit të institucionit të Presidencës, Parlamentit, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe Gjykatën e Lartë.
“Ky ishte rezultat i bashkëpunimit të institucioneve, përfshirë Presidencën, Parlamentin, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Gjykatën e Lartë. Hapi tjetër: Mezi presim përfundimin e seancës së Gjykatës së Lartë në fillim të vitit të ardhshëm, në mënyrë që më shumë çështje të mund të procedohen në kohën e duhur. Urime & suksese”, shkruan Kim.
Të martën u mbajt në Presidencë ceremonia e betimit para Presidentit Bajram Begaj, e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi.
/rtsh.al/