Drejtësia, pronat, BE 65 milionë euro financim për 12 vite, emërimet dhe problematikat e shfaqura

Bashkimi Evropian, për 12 vitet e ardhshme do të financojë rreth 65 milionë euro për Reformën në Drejtësi, për të drejtat e pronësisë, mjedisin, ekonominë dhe novacionin. Ndonëse i shtrirë në 12 vite, projekti duhet të materializohet në harkun kohorë të 6 viteve.
Ky është thelbi i marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Komisionit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III).
Marrëveshja, e zbardhur nga rtsh.al, synon të mbështesë autoritetet shqiptare nëpërmjet investimeve kyçe dhe ngritjes së kapaciteteve në zbatimin e reformës në drejtësi, me fokus të veçantë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës së sistemit të drejtësisë dhe në përmirësimin e mëtejshëm të profesionalizmit të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Sipas relacionit argumentues, një nga prioritetet aktuale të reformës në drejtësi është nevoja urgjente për modernizimin e teknologjisë së informacionit të përdorur nëpërmjet Sistemit të Integruar të Menaxhimit të çeshtjeve, me qëllim që të ndërlidhet me bazat e tjera të të dhënave.
Synimi thelbësor i këtij prioriteti është që teknologjia e informacionit të mundësojë gjenerimin e statistikave të nevojshme për të ndjekur ecurinë e funksionimit të gjykatave dhe organeve të tjera të drejtësisëm përkundër standardeve më të mira evropiane.
“Këto statistika duhet të mundësojnë matjen e qartë të efikasitetit dhe transparencës së sistemit të drejtësisë përmes të dhënave automatike që tregojnë nivelin e trajtimit të çështjeve, numrin e çështjeve të prapambetura, numrin e çështjeve për çdo gjyqtar, kohëzgjatjen mesatare të çështjeve dhe kohëzgjatjen e çështjeve në proces. Ky Veprim mbështet krijimin e një sistemi të integruar modern për menaxhimin e çështjeve; këtu përfshihen, përveç zgjidhjeve teknike dhe harduerit, edhe rregullat e funksionimit të sistemit, trajnimin e personelit dhe përdoruesve, si dhe ndihmën në organizimin e mirembajtjes dhe sigurisë afatgjatë të sistemit.”- thuhet në marrëveshje.
Veprimi do të matë edhe profesionalizmin e sistemit të drejtesisë shqiptare duke mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në adresimin e nevojave analitike dhe të hartimit të legjislacionit, si dhe duke ndihmuar procesin e përgjithshëm të përafrimit të legjislacionit.
Veprimi do të kontribuojë në përditisimin e kuadrit ligjor dhe kapaciteteve të Ministrisë së Drejtësisë ndërsa Shqipëria përgatitet për anëtarësim në BE dhe harmonizon legjislacionin e brendshem me acquis te BE-se në fushën e drejtësisë
Analiza e Kontekstit
Sipas relacionit, procesi i Reformës në Drejtësi po ndërton një sistem drejtësie të pavarur, llogaridhënës dhe efikas. Përveç miratimit të legjislacionit përkatës, është krijuar një strukturë koherente institucionale e cila tashmë ka prodhuar rezultate konkrete.
“Disa nga arritjet kryesore të reformës në drejtësi në këto katër vitet e fundit janë përmbledhur më poshtë: Procesi i rivlerësimit (vettingu) ka ecur në mënyrë të qëndrueshme. Deri më 15 shtator 2021, institucionet e vetingut kanë përfunduar 437 çështje rivlerësimi në shkallë të parë, përfshirë të gjitha dosjet me përparësi. Nga 437 vendime, 298 vendime janë të formës së prerë. Në total, rreth 62 % e dosjeve të vetingut të shqyrtuara deri tani, kanë rezultuar në shkarkime dhe përfundim të rivlerësimit për shkak të dorëheqjeve nga subjektet apo arritjes së moshës për pension. Per 23 subjekte të shkarkuara, Prokuroria e Posaçme ka çelur hetime penale për deklaratat e pasurisë. Procesi i krijimit të institucioneve të pavarura të qeverisjes së gjyqësorit, si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektori i Larte Drejtesise (ILD) ka përfunduar me sukses dhe këto institucione janë plotësisht funksionale. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është mbledhur dhe ka përfunduar me sukses procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë pozicione gjyqtari në Gjykatës Kushtetuese dhe në II D. Është ngritur një arkitekturë gjithëpërfshirëse institucionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”- thuhet në relacion.
Emërimet
Struktura Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përbëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prokuroritë e posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për gjykimin e rasteve te korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Prokurori i Përgjithshëm u emërua me një procedurë transparente në dhjetor 2019, ndër kandidatët që kishin kaluar procesin e rivlerësimit (vettig). Me emërimin e gjashtë gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese është tashmë plotësisht funksionale. Procesi ringritjes së Gjykatës së Lartë u përfundua me ngritjen në detyrë nga KL.Gj të gjashtë gjyqtarëve të rinj në mars dhe korrik 2021 me nëntë gjyqtarë në detyrë. Gjykata e Lartë e ka kuorumin e nevojshëm për të ushtruar funksionet juridiksionale, përfshirë vendimmarrjen për rekurset kundër vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe unifikimin e praktikës gjyqësore._ thuhet në raport.
Pas emërimeve të reja në Gjykatën e Larte, niveli i përfundimit të çështjeve u rrit ndjeshëm me 46% krahasuar me një vit më parë. Gjykata e Lartë, vijon raporti, ka dhënë 3 690 vendime qëkur u bë funksionale në mars 2020 deri në qershor 2021.
“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Gjykata e Lartë ka dhënë 647 vendime të formës së prerë, nga të cilat: 145 të miratuara nga kolegji administrativ, 241 nga kolegji civil dhe 261 nga kolegji penal Në korrik 2020, Gjykata e Larte miratoi udhëzime për reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit të vet. Që nga viti 2016, në gjyqesor janë punësuar 869 punonjës shtesë. Gjithashtu, janë realizuar investime infrastrukturore të mëdha, siç është rasti i godinës së Polit të Drejtësisë dhe investimet thelbësore në ambientet e organeve të vetingut SPAK dhe II.D.”- nënvizohet në raport.
KLGJ dhe KLP, në bashkëpunim me Shkollën e Magistraturës po shumëfishojnë përpjekjet për plotësimin e vendeve vakante në drejtësi.
Shkolla e Magjistraturës
Sipas raportit, emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve menaxhohen ekskluzivisht nga institucionet e reja dhe ato të pavarura të gjyqësorit, me kusht që të kryhet trajnimi i detyrueshëm fillestar në Shkollën e Magjistraturës, si një garanci e rëndësishme shtesë për pavarësinë e magjistratëve.
“Procesi rekrutimit në Shkollën e Magjistraturës është përmirësuar. KLGJ dhe KLP kontrollojnë aftësitë dhe pasuritë e kandidatëve përpara pranimit të tyre. KLGJ dhe KLP kanë punuar për krijimin e kuadrit të përshtatshëm për vleresimin etiko-profesional te magjistratëve, me qëllim që të garantohet llogaridhënia e tyre.”- vijon raporti.
Problematikat
Problematik mbetet numri i çështjeve të prapambetura, me 77 853 të tilla deri në vitin 2019, nga të cilat 72% janë regjistruar në gjykatat e Tiranës. Shumica janë çështje civile (48.1%) dhe çështje tregtare (33.5%). Shumica e çështjeve konstatohet në gjykatat e apelit (58% e çështjeve në Tiranë). Nisma për riorganizimin e sistemit gjyqësor përmes një Harte Gjyqësore synon rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtesise. Procesi bazohet në një vlerësim të nevojës për rishpërndarjen e burimeve njerëzore në gjykata, parë në lidhje me numrin e çështjeve të regjistruara në çdo rreth të veçantë si dhe numrin e çështjeve të prapambeth, duke evidentuar rëndësinë e të dhënave statistikore në hartimin e Hartis Gjyqësore. Qëllimi është të maksimizohen burimet njerezore dhe financiare, të rritet efikasiteti i gjykatave, të përmirësohet kohëzgjatja dhe përfundimi i shqyrtimit të çështjeve, si dhe të përmiresohet aksesi në drejtësi për qytetarët. Grupi Ndërinstitucional i Punës që konsiston në përfaqësues të gjykatave vendase, KLGJ, Ministria e Drejtësisë dhe partnerë ndërkombëtarë si Këshilli i Evropës, EURALIUS dhe Projekti USAID “Drejtësi për të Gjithë po punon për finalizimin e Hartës së re Gjyqësore”- thuhet ndër të tjera në raport.
Të Drejtat e Pronësisë
Raporti konstaton se vendi ynë ende vuan nga problemet me të drejtat e pasigurta të pronësisë, bashkë me kuadrin kompleks ligjor dhe institucional.
“Edhe korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e mbrojtjes së të drejtave të pronarëve të ligjshëm, ndërthurur me mosmarrëveshjet private, kanë shkaktuar konflikte të rënda sociale në 27 vitet e fundit. Raporti i Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë thekson nevojën për të konsoliduar të drejtat e pronësisë, veçanërisht në këto aspekte përfundimi i regjistrimit fillestar, avancimi i regjistrimit të titujve të pronësisë, zbatimi i skemës së kompensimit dhe progresi i nevojshëm në dixhitalizimin dhe hartëzimin e pronave në mënyrë transparente dhe tërësore.”- vlerëson relacioni.
Kuadri institucional i Shqipërisë për pronën u është ngarkuar agjencive të ndryshme me funksione të ndryshme politike, administrative dhe teknike.
“Veprimet e këtyre organeve të ndryshme nuk kanë qenë gjithmonë të harmonizuara, kompetencat mund të kenë pasur mbivendosje dhe koordinimi mes tyre nuk ka qenë gjithmonë i kënaqshëm. Kuadri ligjor mbron në përgjithësi të drejtën themelore të pronësisë, e cila parashikohet qartë në Kushtetutën e Shqipërisë, në përputhje me KEDNj-në dhe Protokollet e saj. Megjithatë, aktet nënligjore, rregullat procedurale dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nuk tregojnë përmbushje të plotë të kësaj të drejte. Toka, pronësia e saj dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, janë një nga çështjet më të komplikuara dhe me problematike në Shqipëri, që prekin shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Proceset e kaluara dhe aktuale lidhur me dhënien dhe rivendosjen e të drejtave të pronësisë, si legalizimi ndërtimeve pa leje, kthimi i pronës dhe dëmshperblimi pronarëve që kanë vuajtur nga konfiskimi gjatë regjimit komunist dhe regjistrimi masiv i titujve kanë vendosur një barrë të madhe në buxhet”- vlerëson raporti i BE-së.
Kjo fushë rregullohet nga një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore të miratuara në kohë të ndryshme nga forca të ndryshme politike, pasqyron zhvillimet politike ligjore, ekonomike dhe sociale në vend gjatë viteve.
Kuadri Ligjor
Pas rënies së regjimit komunist, ligjet e para të miratuara në vitet 90 synonin kryesisht privatizimin e tokës bujqësore të kooperativave dhe kthimin e pronave të konfiduar, rregullim të përshtatshëm për ekonominë e tregut. Për këtë qëllim toka bujqësore u nda për frymë dhe mbetet tejet e coptuar, ndërsa nuk u lejua kthimi dhe kompensimi i tokës bujqësore te pronarët fillestarë Sidoqofte, çështja për kthimin dhe kompensimin qëndroi në qender të zhvillimeve ligjore dhe politike
“Zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve shkaktoi konflikte midis shtetit, ish-pronarëve fillestare (të shpronësuar nga regjimi komunist) dhe fermerëve apo banorëve të qytetit. Në vitet në vijim, ligjet dhe aktet nënligjore synonin rregullimin e problematikave të krijuara nga kuadri ligjor i miratuar në fillim të viteve ’90. Si rezultat, copëzimi i legjislacionit, moria e akteve nënligjore, boshllëqet në sistemin e regjistrimit dhe moszbatimi i ligjit krijuan premisat për informalitet, zēnie të paligjshme të tokës dhe pasiguri të të drejtave ligjore. Kjo situatë shpesh u ka privuar to drejtat pronësore pronarëve legjitime, me pretendime dhe të drejta të mbivendosura mbi tokën dhe të drejta të tjera reale.”- thuhet në anaalizën e raportit.
Fushat e mbështetjes
BE synon përmirësimi i cilësisë së të dhënave për pasuritë e paluajtshme. Pasaktësia e të dhënave për të drejtat e pronësisë dhe administrimin e tokës mbetet problem kyç. Reformat prioritare në bujqësi, turizëm, administrimin e tokës bujqësore dhe tregun e tokës kërkojnë investime të mëdha për të garantuar cilesinë, besueshmërinë dhe efikasitetin e regjistrit të tokes informacionit dhe shërbimeve kadastrale, bashkë me ngritjen dhe funksionimin e duhur të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ngritjen e një infrastrukture IK solide dhe përmirësimin e finalizimin e te dhenave kadastrale dhe për të drejtat e pronësisë.
“Integrimi mirëstrukturuar të dhënave nga sistemet e tjera informatike (registra publikë) në një sistem dhe databazë të vetme qendrore për tokën është thelbësor. E rëndësishme është edhe ndërlidhja me Sistemin e Adresave dhe me Regjistrin e Gjendjes Civile, në mënyrë që të dhënat të jenë lehtësisht të aksesueshme në formate të përputhura përmes Regjistrit të Tokës”- theksohet në raportin e BE-së në kuadër të marrëveshjes. /a.meta/
/rtsh.al/