Majko: Po shkojmë drejt një shteti njëpartiak
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, shprehu dje shqetësimin e rrëshqitjes së vendit në një shtet njëpartiak, ku PD dhe Kryeministri drejtojnë çdo institucion të pavarur. Nuk besoj që është nevoja të them apo të bëj një koment dhe nuk besoj se sot ka ndonjë njeri që nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare dhe me qeverinë, madje ndjehet i çuditur nga kjo që po ndodh. Kështu që nuk besoj se do të them ndonjë gjë shumë të veçantë duke u shprehur për këtë emërim. Është një shtet, i cili po rrëshqet avash- avash drejt një shteti njëpartiak. Nga kreu deri në fund është gjithçka e lidhur me interesat e një partie dhe të një grupi njerëzish, të cilët, në fakt, u bën kompliment tu thuash parti, se realisht janë thjesht një grup njerëzish që kontrollojnë shtetin në gjithë piramidën e tyre, u shpreh Majko nga Saranda, ku ndodhet me pushime.
Për Majkon, dy herë Kryeministër, nuk pritet që marrëdhënia mes SHISHit dhe politikës të jetë pozitive. Këtu kemi një marrëdhënie procedurale, e cila është konsumuar midis Kryeministrit dhe Presidentit. Kryeministri është kryetari i Partisë, Presidenti është një ishministër i Brendshëm dhe kanë prodhuar një koncept përfaqësimi të programit të sigurisë kombëtare, një individ, i cili vjen nga një kohë e kaluar me shumë probleme në marrëdhëniet e institucionit të Shërbimit Informativ me politikën në marrëdhëniet e institucionit të Shërbimit Informativ me opozitën dhe të jem i sinqertë, nuk pres lajme të mira pas kësaj për marrëdhëniet e këtij institucioni me politikën dhe në përgjithësi me shoqërinë. Qofsha i gabuar, u shpreh Majko.
Po dje, në emër të Partisë Socialiste, deputetja Ermonela Felaj e akuzoi Presidentin e Republikës se veproi si shërbëtor i Kryeministrit me shkarkimin e kreut të SHISH-it. Sali Berisha ka dy ditë që hesht. Hesht teksa dje, shërbëtori i tij, Bujar Nishani, vërtetoi të gjitha dyshimet e opozitës. Dje, Presidenti i Republikës pushoi së qeni i tillë kur pa asnjë mëdyshje plotësoi ëndrrën e vjetër të Sali Berishës, për të vënë shërbimin sekret nën kontroll, njësoj si KREU I RI SHISH, VISHO AJAZI LIKA në vitin 1997, tha Felaj.