PD: Rama, fshatra turistikë në Spanjë
I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, pas akuzave të PS-së, lidhur me pasurinë e familjarëve të Kryeministrit Sali Berisha. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli tha gjatë një konferencë për shtyp se Rama, humbësi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kryetari pa mandat, nxori para mediave ortakun e një prej trafikantëve të drogës. “Sot Edi Rama, humbësi i madh, kryetari pa mandate i PS, duke lënë mënjanë pasuritë që ka nëpër Evropë apo ndërtimin e fshatrave turistik në Spanjë, ndërtimin e qytezës së përbashkët me Delijorgjin apo 70% e lejeve të ndërtimit në Tiranë që ndan me Eftimët e tij, nxori për të komentuar pasuritë e Kryeministrit e familjarëve të tij, trafikantin e qenieve njerëzore apo ortakun e narkotrafikantit Fatos Gjura, Taulant Ball-ën”, tha Mëhilli. Sipas saj, “zëdhë-nësit të tij, ortakut të narkotrafikantit Fatos Gjura, i themi se janë të pakët ata që nxjerrin të ardhurat dhe sigurojnë jetesën me para të nxjerra nga droga apo si trafikant qeniesh njerëzore dhe se ty të pret i njëjti fat si Fatosi”. Pak ditë më parë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive publikoi pasuritë e zyrtarëve të lartë, përfshi këtu kryeministrin Sali Berisha së bashku me familjen e tij, por edhe pasuritë e Ramës, Topit, Topallit dhe ministrave të kabinetit qeveritar.