E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, pasuritë në emër të fëmijëve

 

Partia Socialiste akuzoi dje familjen e Kryeministrit Berisha dhe ministrat e qeverisë për shifrat e deklaruara në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive. Deputeti i selisë rozë, Taulant Balla, tha në një konferencë për shtyp se karakteristikë e pasurive të kabinetit qeveritar është fakti që të gjitha të ardhurat janë vendosur në emrat e fëmijëve dhe bashkëshorteve. “Ajo që i karakterizon të gjithë këta hajdutë, është fakti që superpasuritë janë të regjistruara në emër të fëmijëve dhe bashkëshorteve. Kështu Kryeministri ka për bir ndërmjetësuesin, apo siç thuhet në gjuhën e përditshme, sekserin më të pasur në Shqipëri. Ky ka deklaruar se shumat e mëdha që ka në llogaritë e tij i ka fituar falë ndërmjetësimeve. Në vitin 2008, duke punuar si sekser, ai thotë se ka fituar 82.882 euro”, tha Balla. Sipas tij, “Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit është e vetmja grua që merr gjashtë rroga duke ndenjur në shtëpi. Kjo bandë që mundohet të mbajë pushtetin, me para dhe vota të vjedhura, nuk e mori mandatin për të riqeverisur”. Në të njëjtën kohë deputeti i PS-së theksoi se kjo forcë “bashku me të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi do ia shkurtojnë me çdo mjet demokratik ditët këtij pushteti ilegjitim, që pasurohet në kurriz të varfërisë së shqiptarëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›