Meta: Rama e bleu Uruçin me leje ndërtimi
Kreu i LSI-së komenton largimet nga radhët e partisë
Sekserët e PS-së ofrojnë leje dhe para cash
Tiranë
Ilir Meta nuk ka qëndruar indiferent ndaj largimeve të bujshme nga radhët e partisë së tij drejt Partisë Socialiste, siç ishte së fundmi ikja e kryetares së degës Shkodër, Esmeralda Uruçi dhe kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Hermenaj. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, se po i blen këta njerëz duke u ofruar leje ndërtimi dhe para cash në dorë. Një akuzë e fortë kjo, ndërkohë që jo pak herë lëvizjet kanë qenë në kahun e kundërt, domethënë nga PS-ja tek LSI dhe ndaj Metës nuk kanë ardhur akuza të tilla. Por kreu i LSI-së dje në një takim me strukturat e partisë i ka kushtuar një pjesë të mirë të fjalimit kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, ai ka nxjerr në dritë dhe shkakun pse shumë zyrtarë të tij po shkojnë tek Rama. Sipas tij, janë ata që vënë kushte që të jenë në krye të listave për t’u bërë deputetë në zgjedhjet e qershorit. Meta komentoi politikën që po ndjek homologu i tij socialist, duke e cilësuar atë hipokrizi. “Hipokrizisë së kësaj politike po i del çdo ditë boja, ashtu sikurse dhe fasadave në qendër të Tiranës. Kjo çoroditje e tyre, por edhe identiteti ynë gjithnjë edhe më i fortë, rritja e besimit që kanë njerëzit ndaj LSI-së, i detyron sekserët e kryetarit të PS-së, që këdo përfaqësues të LSI-së që i del përpara, t’i premtojë leje ndërtimi dhe para cash në dorë, pikërisht për të shtuar radhët e asaj që tashmë quhet Koalicioni i Bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit”, - deklaroi Ilir Meta. Ai më pas iu referua rastit “Uruçi”, duke thënë se “padyshim që nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për përdorimin e neveritshëm të ndonjërit që më parë ka aderuar edhe në këtë forum të nderuar, sikurse është dhe rasti i znj. Uruçi”. Më tej, Meta tha se “ajo pa pikë turpi del në televizion dhe thotë që me Ilir Metën ndan pikëpamje të ndryshme. Ju e dini të gjithë që ajo ka qenë prej tre vitesh këtu si gjithë ju dhe nuk besoj që keni dëgjuar ndonjë pikëpamje të ndryshme të saj jo vetëm me Ilir Metën, por me secilin prej jush.
Ne nuk ndalojmë askënd që të shitet për tre aspra, dhe aq më tepër nuk pranojmë askënd që vë kushte në LSI, se po nuk qe i pari në listat për deputet do të bëhet kiameti, përkundrazi”. Në këtë pikë ai ka sqaruar se vetë nuk ka qenë i pari në listën për deputet në 2005-n dhe shtoi se “as kam ndërmend të jem i pari në listën për deputet edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse mendoj se LSI-ja është krijuar në funksion të qëllimeve shumë më të mëdha sesa për të garantuar Ilir Metën apo cilindo tjetër që ka frikë nga e ardhmja, që nuk shikon përtej momentit dhe për më tepër, që shitet fare lirë”.
Ndërkaq, ai i ka kujtuar Ramës se shumë socialistë vijnë në dyert e partisë së tij pse besojnë tek politika e saj, pasi ai nuk ofron leje ndërtimi apo shpërblime të tjera. “Nuk mund të refuzojmë të vijnë në LSI me qindra dhe me mijëra anëtarë dhe simpatizantë, jo vetëm të Partisë Socialiste, por edhe të partive të tjera, të cilët vijnë tek ne vetëm për arsye besimi dhe bindjesh, sepse ne nuk japim as leje ndërtimi, nuk japim as licenca, nuk japim as tendera”, - theksoi kreu i LSI-së. Duke e parë veten në fronin e opozitës, ai ka ripërsëritur akuzat ndaj kryesocialistit për flirt me pushtetin. “Ne jemi opozitarë krejtësisht të pastër dhe padyshim jemi krejtësisht të vendosur që edhe pushtetin që do të fitojmë në zgjedhjet e 28 qershorit të mos e përdorim si një mall për tregti, ashtu sikurse e përdorin dy liderët e dy forcave të vjetra pushtetin aktual që kanë”, - tha ai. Meta foli dhe për protestën që po organizon LSI me moton “Berisha ik!” të importuar nga protestat e dikurshme të PD-së, kur ishte në opozitë ndaj ish-kryeministrit të atëhershëm, Fatos Nano, me moton “Nano ik!”.