E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rama mbron klanet e ndërtimit me policinë bashkiake

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi sot gjatë një konference për shtyp në Kryesinë e Kuvendit se “Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama po mbron me polici bashkiake, në kundërshtim me të gjitha ligjet, objektin që ka zënë hapësirat publike në qendër të Tiranës”.

Bumçi theksoi se “Rama, kreu i aleancës punisto-mafioze, po mbron me paratë e taksa paguesve shqiptarë pasuritë kriminale të tij dhe të kupolës që e rrethon”.

“ I bëjmë me dije këtij njeriu që ka përvetësuar 83% të trojeve publike të Tiranës, për t’ia dhënë Dulakëve, Kokëdhimës, Shkrelit etj, se asgjë nuk mund ta mbrojë nga darët e ligjit, i cili do t’i shkulë çdo tentakulë të këtyre pasurive të vëna në rrugë kriminale”, tha Bumçi.

Fillimi i prishjes së pallatit 12 katësh në qëndër të Tiranës, mbi rrugë, (pronë publike) është pezulluar sipas Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, “për të shmangur përplasjet dhe konfliktet.”

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi tha dy ditë më parë se pallati 12 katësh në qendër të Tiranës është ngritur mbi rrugë dhe për këtë shkak Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka urdhëruar shembjen e tij.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›