E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama pranon çmimin Nobel të Paqes

Presidenti amerikan Barak Obama mori çmimin Nobel të Paqes 2009 duke pranuar se është në fillimin e punës së tij në skenën botërore.

Në ceremoninë e çmimeve sot në Oslo të Norvegjisë, zoti Obama tha se arritjet e tij janë të pakta krahasuar me ato të laureatëve të tjerë të çmimit Nobel si Martin Luther King Jr dhe Nelson Mandela. Ai tha se aktivistët që janë burgosur dhe rrahur në përpjekjet për drejtësi apo që kanë shërbyer si humanitarë në mbarë botën e meritojnë më shumë çmimin.

Presidenti amerikan në vitin e parë në detyrë pranoi gjithashtu ironinë e pranimit të Çmimit Nobel të Paqes ndërsa përgatitet të dërgojë 30 mijë trupa shtesë në Afganistan. Ai u tha të pranishmëve se lufta kundër Talebanit dhe rrjetit terrorist të Al-Kaidës ishte një konflikt që Shtetet e Bashkuara nuk e kërkuan – në referencë të përgjigjes ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Presidenti Obama tha se e pranon të vërtetën e hidhur se lufta asnjëherë nuk do të zhduket në kohën tonë.

Zoti Obama citoi udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King Junior në fjalimin e tij të pranimit të çmimit Nobel në vitin 1964 kur tha se dhuna asnjëherë nuk sjell paqe të përhershme. Por presidenti tha se në rolin e tij si kreu i shtetit, ai duhet të përballet me botën ashtu siç është.

Zoti Obama tha se do të ketë raste kur vendet do të gjejnë përdoriimn e forcës jo vetëm të nevojshëm por moralisht të justifikueshëm. //rd//


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›