E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD: “Rama “ndere” oligarkëve, pronat shtetërore të përdoren për kompesimin e pronarëve

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Rama se sipas saj po i jep klientëve të tij pasuri publike. “Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe vodhi zgjedhjet e 25 Prillit, që të masakrojë dhe vjedh pasuritë publike të shqiptarëve, që të vazhdojë të shtojë pasurinë e tij dhe të bizneseve pranë tij, që të vazhdojë të detyrojë të rinjtë e papunë të largohen të pashpresë nga vendi. Më datë 19 Maj 2021, njëlloj siç ka bërë gjatë keqqeverisjes së tij, Edi Rama ka vendosur të trajtojë si plaçkë personale një tjetër pasuri publike të shqiptarëve. Plot 55 mijë m 2 tokë në bregdet, në zonën e Hamallajt, pa garë dhe pa asnjë transparencë, ka vendosur t’ia jap dy miqve të tij në një biznes korruptiv, shoqërisë “Sviluppo Mare 1” sh.p.k., me pronar Redi Pezën dhe “S&D Invest” sh.a., me pronar Gentjan Sulën. Çmimi i vendosur për shitje është disa herë më i ulët se çmimi i tregut në atë zonë bregdetare, rreth 1,100 lekë për metër katror. Siç provon ky dokument shtetërore, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 19.5.2021, 55 mijë metra tokë shtetërore në bregdet i është dhënë dy oligarkëve të Edi Ramës, Redi Peza dhe Gentjan Sula, për 59,565,000 lekë”, akuzoi ajo.
Deputetja e zgjedhur Ina Zhupa në një deklaratë për mediet tha sot se bëhet fjalë për një aferë në zonën e HamalIajt, për të cilën i kërkoi SPAK nisjen e hetimeve.“Partia Demokratike i kërkon SPAK të hetojë menjëherë këtë aferë të rëndë korruptive dhe të vendos përpara përgjegjësisë plaçkitësit e pasurisë publike. Shqipëria dhe pasuritë e saj, duhet t’i shërbejnë shqiptarëve dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund sa më parë procesit të kompensimit të pronarëve të ligjshëm. Prona shtetërore duhet t’i shërbejë vetëm interesit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne do luftojmë kundër kësaj pakice plaçkitësish që pengoi përkohësisht ndryshimin, derisa t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve”.​tha Zhupa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›