E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama në Vlorë për të evituar historikun e dështimeve në Tiranë

TIRANË- Partia Demokratike akuzoi sot kreun e PS-së, Edi Rama, se është arratisur drejt Vlorës, për të shmangur dhe evituar ballafaqimin nga historiku i dështimeve në Tiranë.

“Ne e dimë se ai, sipas platformës së tij: “ akuzo, moho, trillo – ç’të mundesh!!” do të vazhdojë të sajojë edhe më shumë shpifje nga salloni mavi. E dimë se ai do të mundohet të minimizojë zhvillimin e vërtetë që prekin qytetarët në jetën e përditshme, në sajë të përkushtimit tonë. Këtë e dinë edhe qytetarët! Qytetarët e dinë se ne kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar rrugë në të gjithë Vlorën. Kemi përgjysmuar distancën kohore nga Vlora në Tiranë: rrugë si ajo Vlorë – Fier, Vlorë – Levan , Levan – Tepelenë, Kote-Sevaster-Kalivac, Sarande – Konispol-Delvinë, Rruga Sarandë-Pllakë-Xarrë pa harruar edhe ndërtimin e Tunelit të Vlorës”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

“Qytetarët e dinë se kanë përfituar ndihmë financiare 4.173 fermerë për të mbjellë ullishte, sera dhe mbështetje për përmirësimin e sistemit vaditës. Qytetarët e dinë se kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar 50 shkolla, duke futur edhe shkollën e re të Lagjes 24 Maji në Vlorë, konviktin për shkollën e mesme në qytetin e Sarandës, shkollën e ciklit të ulët dhe kopshtin në Bamatat në Bashkinë e Delvinës. Gjithashtu kemi rikonstruktuar edhe Universitetin e Vlorës. Qytetarët e dinë që kemi zgjeruar Spitalin e Sarandës dhe kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar qendra shëndetësore në Gërnec, kemi ndërtuar ambulancën e re në Ksamil dhe Ciflik, kemi rikonstruktuar qëndrën shëndetësore në Vllahinë dhe Sevaster. Qytetarët e dinë se kemi përmirësuar furnizimin me ujë falë Ujësjellësit të Vlorës. Dhe qytetarët e dinë që Ne kemi nxitur dhe investuar në projekte madhore si: Hidrocentrali i Sasaj, Petroliferia në Vlorë dhe përmirësimet që janë bërë në Portin e Vlorës. Janë hapur mbi 6.500 biznese të reja në Vlorë falë taksës së sheshtë 10% dhe turizmi është rritur si rezultat i projekteve të restaurimit të Manastirit 40 Shenjtorët, ndërtimi i Sheshit të Flamurit, dhe rikonstruksioni i Muzeut të Pavarësisë. Këto janë vetëm disa nga gjërat që kemi bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Vorpsi.

Por, vijon deklarata e PD-së, “Edi Rama, vetëm akuzon dhe mohon çdo njërin nga këto projekte. Në fakt, Rama postoi në blogun e tij dy ditë më parë, se e kish marrë malli për Vlorën e kohës së Enverit, sepse Edi Rama kërkon të na kthejë mbrapa. Ai ka bllokuar zhvillimin dhe progresin me bojkote, me greva urie dhe protesta të dhunshme".

"Ky është historiku i Edi Ramës, kjo është alternativa që ofron. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Edi Rama po fshihet brenda, ne pallatin e sportit këto dite plot diell për të paraqitur modelin Kokëdhima-Rama pasi ai e din se me Koçon ju fik fushata dhe alternativa që ofron nuk mund të mbushë sheshet me njerëz. Me 23 Qershor, ne e dimë se qytetarët e Vlorës do të zgjedhin të ecin përpara!”, përfundoi zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›