E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, traktori i mbeturinave përplas për vdekje kalimtarin



SHKODER - Një 68-vjeçar është përplasur për vdekje nga traktori që sheshonte mbeturinat në afërsi të varrezave të dëshmorëve të qytetit të Shkodrës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pasditen e djeshme. Viktima është shtetasi Rifat Rrina, banues në fshatin Barbullush. Sipas burimeve të policisë, shtetasi Rrina ka qenë duke shkuar tek disa të afërm të tij në fshatin Bleran dhe për këtë ka shfrytëzuar rrugën që kalon pranë vendgrumbullimit të plehrave të qytetit. Në ato momente, pranë kësaj pike plehrash po punonte traktori, i cili bën sheshimin e tyre. Nga pakujdesia dhe mungesa e pamjes drejtuesi i traktorit, Brahim Sykni, 50 vjeç, e ka goditur Rrinën me pjesën e prapme të mjetit të punës. E bërtitura e kalimtarit ka detyruar drejtuesin e traktorit që të ndalë mjetin. I tronditur kur ka parë viktimën, 50-vjeçari menjëherë ka vrapuar dhe me anë të një automjeti e ka dërguar të plagosurin rëndë për në spital. Megjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha, Rrina nuk ka arritur dot të mbijetojë. E njoftuar për këtë, policia ka mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimin e shkaqeve të aksidentit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia konstatoi se viktima Rrina ka qenë duke kaluar në këmbë në afërsi të pikës së grumbullimit të mbeturinave ku po punonte traktori dhe se pakujdesia shkaktoi aksidentin. Brahim Sykni është arrestuar nga policia në kushtet e flagrancë. Ky është rasti i dytë që pika e grumbullimit të mbeturinave në Shkodër merr jetë njerëzish. Në qershorin e kaluar makina e grumbullimit të mbeturinave teksa po shkarkonte mbeturinat ka zënë nën vete një 9-vjeçar. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›