PD: Rama po dëmton themelet e fqinjësisë së mirë
Selia blu kritikon deklaratën e Ramës pas takimit me Presidentin e Maqedonisë
Partia Demokratike përmes ish-ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçi, ka reaguar pas takimit të kryeministrit Rama me Presidentin e Maqedonisë. Aldo Bumçi e cilësoi deklaratën e bërë nga Rama pas përfundimit të takimit me Presidentin Ivanov si një deklaratë që po dëmton marrëdhëniet e miqësisë mes dy vendeve.
Reagimi
Ish-ministri i Jashtëm demokrat kritikoi kryeministrin Rama pasi sipas tij nuk përmendi gjatë fjalës së tij, Marrëveshjen e Ohrit e cila sipas Bumçit është dokumenti bazë për marrëdhëniet ndëretnike. Rama po dëmton themelet e fqinjësisë së mirë që kemi pasur deri tani. Rama nuk përmendi marrëveshjen e Ohrit që i dha fund konfliktit në Maqedoni. Është dokumenti bazë për marrëdhëniet ndëretnike. Marrëveshja e Ohrit është e përfshirë në çdo raport të BE-së dhe ka qenë kryefjalë e çdo diplomati, u shpreh Aldo Bumçi. Më tej ai tha se Rama në fjalën e tij pas përfundimit të takimit me Presidentin e Maqedonisë, vendosi shenjën e barazisë mes pakicës maqedonase që jeton në vendin tonë dhe shqiptarëve të Maqedonisë të cilët janë 25 përqind e popullsisë. Ai vuri shenjën e barazimit mes pakicës maqedonase në Shqipëri dhe shqiptarëve të Maqedonisë që bëjnë 25 % të popullsisë. Rama tha se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni kur nuk respektojmë të drejtat e pakicave maqedonase këtu. Shoqëria në çdo raport vlerësohet me notat më të larta për të drejtat e pakicave. Një krahasim i tillë është i keq pasi cenon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, tha Bumçi. Në përfundim, Aldo Bumçi i kërkoi kryeministrit Rama që të sqarojë politikën që do të ndërmarrë në marrëdhëniet me fqinjët. Regime për deklaratën e Ramës bërë edhe përfaqësues të tjerë të PD-së, si Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu të cilat kritikuan deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama pas përfundimit të takimit me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov.
Topalli: Rama nuk artikuloi Marrëveshjen e Ohrit
Edhe Jozefina Topalli reagoi pas deklaratës së bërë nga kryeministri Rama në përfundim të takimit me Presidentin e Maqedonisë. Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Topalli shkruan se Rama nuk përmendi fare Marrëveshjen e Ohrit. Rama, në takimin me presidentin e Maqedonisë në zyrën e KM nuk artikuloi Marrëveshjen e Ohrit. Dhe sikur te mos mjaftonte kjo, barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me Shqiptarët në Maqedoni, shkruan ndër të tjerash Topalli. Më tej, Topalli e cilëson fjalën e Ramës si të huaj për shqiptarët e Maqedonisë. Sot(dje), dëgjuam nga KM një qëndrim krejt të huaj, jo shqiptar,për shqiptarët!. Deklarata e Ramës është e rrezikshme. Ajo fyen luftën e shqiptarëve në Maqedoni, fyen përpjekjet e tyre për liritë e të drejtat themelore. Ato sot ishin të tradhtuar nga Tirana zyrtare. Dhe kjo vetëm 4 ditë pas fjalimit përpares që bëri para Kuvendit të Kosovës! Rama duhet të kërkojë falje!, mbyll shkrimin e saj ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.