Rama: Të shqetësuar për bashkëjetesën mes shqiptarëve me maqedonasit
Kryeministri pret në një takim Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov
Takimin e parë zyrtar në selinë e kryeministrisë, Edi Rama e ka zhvilluar me me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov. Takimi zgjati përreth 45 minuta pa praninë e medias, ndërkohë që në përfundim të tij të dy përfaqësuesit dolën në një konferencë të përbashkët.
Rama
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se pjesë e diskutimit mes tij dhe Presidenti Ivanov ishte rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve ndërkohë që një pjesë të rëndësishme të bisedës zuri edhe çështja e respektimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Në këtë pikë, kryeministri Rama shprehu haptazi shqetësimin e Tiranës zyrtare për këtë çështje. Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordësuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana tjetër zoti President më shprehu shqetësimin e tij, që të këtë më shumë vëmendje dhe më shumë hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh, jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve, atë që ne vetë nuk jemi gjendje ta plotësojmë për të tjerët, u shpreh kryeministri Rama.
Ivanov
Nga ana e tij, Presidenti maqedonas e vuri theksin tek bashkëpunimi mes dy vendeve në rrugën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Europian. Patëm një bisedë konstruktive dhe kuptimplotë, ku u ndalëm në çështjet që na shqetësojnë në rajon. Na presin ndërmarrje dhe projekte të përbashkëta që do të jenë në favor për të gjithë ata që jetojnë në këtë rajon. Konkluzioni i bisedës tonë ishte se BE është instrumenti që mund të ndihmojë dhe të mbështesë të gjitha vendet tona. Është hera e parë që ne bashkohemi dhe kjo ndodh në emër të së ardhmes. Është pikërisht kjo e ardhme europiane që na detyron në plotësimin e standardeve europiane. Kështu duke qenë të përkushtuar me axhendën europiane ngushtojmë hapësirat për ata që na duan të keqen duke kryer veprime që s’janë në favor të qytetarëve tanë, deklaroi Ivanov.