E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD Rama po kerkon te mbuloje humbjen e tij personale dhe partiake ne 8 Maj

“Sot z. Rama, në një akt shantazhi dhe presioni të papranueshëm, ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërmori serialin e tij të sulmeve bajate dhe fund e krye të bazuara në një realitet që nuk ekziston”.

Kështu e nisi deklaratën e saj për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, duke pohuar më tej faktin sesi “Rama shpalli para asambleistëve të tij dhe mediave fitoren madhështore të 8 Majit në mbarë vendin”.

“Ai deklaroi se kjo fitore e ka tërbuar kundërshtarin e tij politik.

Rama u përpoq sot në mënyrën më joserioze të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke shpallur disfatat për fitore.

Ndaj jam sot për t’i shtruar së bashku me ju të nderuar qytetarë, z.Rama pyetjet:

Së pari, 140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 % vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe apo një fitore tuajën imagjinare pra fitore që nuk ekziston në realitet?

Së dyti, le të pyesim së bashku z. Rama se, 47 mijë vota më pak në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit për ju dhe koalicionin që ju drejtoni, dëshmojnë një humbje të thellë elektorale apo fitoren që ekziston vetëm në imagjinatën tuaj, por jo në realitetin elektoral shqiptar?

Sërish le t’i shtrojmë pyetjen tjetër z. Rama nëse, 41 mijë vota më pak të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe komuna, të koalicionit që udhëhoqe, janë humbja juaj e radhës, apo sërish fitorja juaj imagjinare që në realitet nuk ekziston?”, tha ajo.

Duke u ndalur tek 4 garat elektorale të Tiranës, të cilat i vlerësoi si të humbura të gjitha personalisht nga Rama.

“Në zgjedhjet vendore të 8 majit, 7 këshillat minibashkiakë që humbët, shënojnë humbjen e radhës tuajën personale apo fitoren imagjinare që në realitet nuk ekziston ?

7 kryetarë të minibashkive që humbët në TR janë humbja juaj personale apo fitorja juaj imagjinare?

Parlamenti i kryeqytetit që humbët më 8 maj, është disfata juaj e radhës apo fitore juaj personale imagjinare realisht e paekzistueshme?

21 mijë vota që humbët në Tiranë krahasuar me vitin 2007, dhe 93 vota më pak se kandidati demokrat Lulzim Basha në vitin 2011, është humbja juaj personale e radhës, apo sërish fitorja në imagjinatën tuaj që në realitet nuk ekziston?

Ndërsa lidhur me deklaratat se këto fitore madhështore të z. Rama kanë tërbuar kundërshtarin politik të tij, Partisë Demokratike nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i urojë z. Rama, edhe për shumë vite të tjerë, “udhë të mbarë nga fitorja në fitore të tilla elektorale”, përfundoi deklaratën e saj Mustafaraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›