E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli- Wallack Ne 8 Maj demokracia shqiptare kaloi me sukses nje test demokracie

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë qëndrimit në Vilnius (Lituani), në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin botëror të grave lidere, pati një takim të rëndësishëm dhe të veçantë me Presidentin e Institutit Demokratik Amerikan, Ken Wallack.

Instituti Demokratik Amerikan, tha kryetarja Topalli, "ka pasur një kontribut të veçantë gjate këtyre 20 viteve të demokracisë në Shqipëri dhe unë ju jam mirënjohëse juve personalisht dhe Institutit tuaj për mbështetjen pa rezerva që i keni dhënë vendit tonë".

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në reformat e guximshme të Shqipërisë dhe për optimizmin, me të cilin vendi po orientohet nga e ardhmja.
Ata vunë në dukje se demokracia shqiptare kaloi me sukses, ashtu sikurse SHBA pak vite më parë, një test të demokracisë. Zgjedhjet konkurruese dhe transparente të 8 Majit, pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në zgjedhje dhe periudha e apelimeve, treguan në të njëjtën kohë se në Shqipëri, vota është e lirë dhe sistemi funksionon. Zgjedhjet e 8 Majit ishin zgjedhjet më të mira dhe më të drejta që Shqipëria ka realizuar deri më sot.

Presidenti i NDI-së, Wallack, një personalitet i rëndësishëm dhe i respektuar, bisedoi me kryetaren e Kuvendit edhe për projekte të tjera të rëndësishme.

Gjatë qëndrimit të saj në Vilnius, Topalli u prit dhe nga kryetarja e parlamentit të Lituanisë, Irena Dagutien dhe nga nënkryetari i tij, Ceslovas Jursenas. Dy zyrtarët e lartë i shprehën kryeparlamentares shqiptare mbështetjen për aspiratën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim dhe me Presidenten e Parlamentit të Letonisë, Solvita Albotina, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›