E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rama, qëllime politike për ligjin e tokave bujqësore

Partia Demokratike reagoi dje pas deklaratës së selisë rozë për antikushtetueshmërinë e ligjit për tokat bujqësore. Zëdhënësja e kësaj partie, Erla Mëhilli, vuri në dukje se Rama e denoncon ligjin për qëllime politike. "Sot Edvin Kristaq Rama, njeriu që 3 javë më parë derdhte lot për fermerët e Orikumit, nxori zëdhënësin e tij të radhës për të kundërshtuar ligjin, nga i cili përfitojnë mbi 10000 familje të ish-fermave shtetërore nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë. Në konferencën e shtypit, z.Rama dënoi dhënien falas të tokës këtyre fermerëve në masën 300 deri në 700 metra katrorë. Njeriu që do shkonte të protestonte në Orikum pse nuk u jepej toka fermerëve, tani denoncon vetëm për qëllime politike ligjin, i cili realizon një premtim elektoral të mazhorancës", vuri në dukje Mëhilli. Nisur nga kjo, zëdhënësja e selisë blu deklaroi se Rama duhet të sqarojë se përse disa familje kanë të drejtë të marrin tokë falas dhe disa të tjera jo. "Me këtë rast ne duam t‘i shtrojmë një pyetje z. Edvin Kristaq Rama dhe çunave të Bllokut që ai udhëheq, se çfarë dallimi kanë këto 10000 familje fermerësh shqiptarë, nga 460000 familje të tjera të cilat e morën falas tokën në përputhje me ligjin 7501?", përfundoi Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›