Publikohet Raporti i të Drejtave të Njeriut për vitin 2009
Shqipëria ka ende shumë për të bërë për sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky është konkluzioni në të cilin del raporti i rrjetit të organizatave për të drejtat e njeriut gjatë publikimit të raportit të vitit 2009, mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Monitorimi trajtonte problematika nga më të ndryshmet, ku në pjesën më të madhe përfshiheshin shkeljet e të drejtave të njeriut të konstatuara gjatë këtij viti në fusha si media, gjykatat, liria e zgjedhjes elektorale, dhuna në familje. Në raport theksoheshin rastet e shkeljeve dhe kuadri ligjor shqiptar, i cili ishte shkelur. Raporti e shikon hartimin dhe miratimin e ligjeve si një proces thellësisht politik. Po kështu theksohet se disa ligje bien në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare. Kështu gjerësisht në këtë raport theksohej fillimisht trajtimi i çështjes së ish të përndjekurve politikë të regjimit komunist. Sipas organizatave, persona të cilët vijnë nga kjo shtresë janë ngujuar në një grevë urie për gati dy muaj, duke mos marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore për kërkesat e tyre. Në raport theksohet edhe niveli i ulët i aksesit të qytetarëve në gjykatë, në veçanti për ata në vështirësi ekonomike, të cilët përballen me pengesa të mëdha për të realizuar të drejtat e tyre. Raporti i hartuar nga disa organizata për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ndalet edhe te zgjedhjet elektorale që u zhvilluan në qershor në vend. Sipas këtij raporti, zgjedhjet shënuan progres në disa aspekte krahasuar me ato të kaluarat, por megjithatë janë vërejtur shkelje, për sa i përket politizimit të komisioneve zgjedhore, në votimin familjar dhe pamundësinë e disa personave me aftësi të kufizuara për të votuar. Në lidhje me lirinë e medias, raporti thekson se presioni politik dhe ekonomik ndaj mediave është vërejtur në disa raste.