E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rama të mos trillojë, por të pranojë humbjen



Partia Demokratike i ka cilësuar shpifje dhe trillime akuzat dhe deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se kryetari i Partisë Socialiste duhet të pranojë humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe duhet të lërë mënjanë shpifjet dhe kërcënimet. Në emër të Partisë Demokratike, Mëhilli kërkoi nga kreu i PS-së, Edi Rama, që të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë. “Edi Rama vetë dhe me zëdhënësit e tij, në vend që të pranojnë humbjen, kalon nga trillimi në trillim, nga kërcënimi në kërcënim. Partia Demokratike i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor, të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër i rikujtojmë zotit Rama se në rajonin e Ballkanit ka pasur vetëm një politikan, i cili, pas çdo disfate, deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviç. Çdo imitim i tij është një donkishotizëm. Koha është e shqiptarëve, e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë europiane, më të madhin projekt në historinë e këtij vendi dhe e atyre që për arsye të ndryshme nuk votuan kartën e zotit Rama. Nga zgjedhjet nuk ka të humbur, ndërsa përpjekja për të shkelmuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë është thjesht përpjekje maskarenjsh”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›