E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Protesta popullore nëse Berisha-Meta na grabisin mandatin e 9-të në Fier”

Kreu i PS-së paralajmëron protesta dhe mosnjohje të rezultatit zgjedhor. Rama: “Nuk i kam kërkuar Berishës bashkëqeverisjen PD-PS”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë sërish paralajmërime të forta në drejtim të kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Sipas Ramës, dy aleatët e rinj në qeverisje po përpiqen që të deformojnë vullnetin e popullit dhe t’u heqin padrejtësisht Partisë Socialiste mandatet që ajo ka fituar në zgjedhjet e 28 qershorit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se në rast se Partisë Socialiste do t’i hiqet mandati i 9-të në qarkun e Fierit, Berisha dhe Meta do të përballen jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve nga Partia Socialiste, por edhe me protesta të fuqishme popullore. “Mos e prekni mandatin e 9-të të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye”, - tha Rama.

Qeveria
Rama e quajti marrëveshjen “Berisha-Meta” një marrëveshje që ka synuar që të shkurajojë Partinë Socialiste nga përpjekjet e saj për të kërkuar mandatin e 9-të në qarkun e Fierit, nga mandati i 5-të në qarkun e Beratit si dhe nga përpjekjet për zbardhjen e plotë dhe mungesës së standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas kryetarit të Partisë Socialiste, qeveria e integrimit europian të Shqipërisë, në fakt, nuk është e tillë, por është qeveria e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore. “Pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të 9-të në Fier, të mandatit të 5-të në Berat e me radhë, deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde, nga ku po del një qeveri e cila quhet e integrimit europian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore, në dëm të lirisë e demokracisë së vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë kundër ndryshimit të vërtetë, kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste”, - tha Rama.

Mohimi
Kryetari i Partisë Socialiste mohoi deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, i cili deklaroi se Rama kishte kërcënuar me protesta në rast se nuk do të formohej koalicioni i madh qeverisës, PD dhe PS. Të njëjtin mohim Rama bëri edhe ndaj deklaratave të Metës, i cili kishte thënë se Rama i kishte ofruar postin e kryeministrit duke i premtuar se do të blinte mandate nga e djathta. Kryesocialisti i cilësoi këto deklarata të pavërteta dhe shembull të politikës së vjetër. “Sali Berisha dhe Ilir Meta janë sot dy fytyrat e së njëjtës gënjeshtër, e të njëjtit mllef, e të njëjtave interesa politike e ekonomike, tërësisht personale e klanore, që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara, po mundohen të vrasin me një gur dy zogj; të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë Partinë Socialiste. As njërën, as tjetrën nuk do ta arrijnë dhe sa më shumë të ngjajnë me njëri-tjetrin në shpifjet e tyre të paskrupullta, sa më shumë të plotësojnë njëri-tjetrin në lojën e tyre të turpshme, sa më shumë të orvaten në planin e tyre të dështuar për të përbaltur Partinë Socialiste dhe mua personalisht, aq më e qatë bëhet për të gjithë shqiptarët se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre. Duke përbuzur shpifjet e diversionet e të dyve bashkë dhe duke e i siguruar që të dy, edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që as kam ndër mend ta lë përgjysmë, e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë, unë rinënvizoj sot me forcë në adresë të çiftit të ri të politikës së vjetër atë që Partia Socialiste ka theksuar vijimësisht gjatë këtyre ditëve”, - u shpreh Rama.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›