Glover takon Ramën, diskutohet për situatën paszgjedhore
Ambasadorja e ODIHR-it në Tiranë, Odrei Glover, ka zhvilluar dje paradite një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi, i cili është zhvilluar në selinë rozë, ka zgjatur 90 minuta dhe është kryer vetëm pak orë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të niste shqyrtimin e ankesës së socialistëve për rinumërimin e votave për qarkun e Fierit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, si dhe sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami. Kryetari i PS-së dhe ambasadorja Glover nuk kanë dhënë asnjë prononcim për mediat pas takimit, por mësohet nga burime brenda selisë rozë se mes ambasadores Glover dhe kryetarit Rama është diskutuar për situatën paszgjedhore. Mësohet se mes tyre është diskutuar edhe për ankimimin e Partisë Socialiste në KQZ për procesin e rinumërimit të 9 kutive të Fierit. Partia Socialiste ka kushtëzuar me këtë pikë njohjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. PS-ja pretendon se nga mosnumërimi i këtyre kutive i është mohuar mandati i 9-të i deputetit, të cilin e ka humbur për 34 vota. Por mandati i 9-të në qarkun e Fierit nuk është i vetmi pretendim dhe kontestim që Partia Socialiste ka ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. Përgjatë gjithë javës, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë denoncuar manipulimet, të cilat, sipas tyre, kanë ndodhur në qarkun e Shkodrës, në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Tiranës. Selia rozë ka vendosur që të nisë një proces të gjerë të dokumentimit të manipulimeve, mbi të cilat ajo do të mbështesë fuqishëm qëndrimin e saj për mosnjohjen e zgjedhjeve, gjithmonë në rast se do të merret një qëndrim i tillë. Të gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste po punojnë për dokumentimin e manipulimeve. Mbi bazën e këtij dokumentimi do të hartohet edhe raporti, i cili do t’u dërgohet përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare.
11 Korrik 2009