PD: Shqipëria nuk është në krizë ekonomike

Partia Demokratike hodhi poshtë deklaratat e PS-së se vendi po zhytet në krizë ekonomike, duke deklaruar se "Shqipëria nuk është në krizë ekonomike, por në krizë politike dhe shpirtërore është Rama për humbjen e mandatit të tij".Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha në një konferencë për shtyp, se "Kryetari mandat prerë i Partisë Socialiste, krizën e Partisë së tij dhe krizën personale, u përpoq ta shprehë sot me zëdhënësit e tij si një krizë të përgjithshme ekonomike. Ky është një nga trillimet më bajate të këtij humbësi të madh, i cili nga nëntori i vitit të kaluar e deri sot nuk flet për gjë tjetër përveçse për krizë ekonomike në Shqipëri.""Shqipëria nuk është në krizë ekonomike, vetëm në këtë korrik, Shqipëria është vëndi i vetëm me rritje 36% të turizmit krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, dhe se Korridori i Kombit, të cilin z.Rama e shpalli si korridorin e asgjëkundit, ka dyfishuar kalimin nga pika e Morinës", tha Mëhilli.Sipas saj , Shqipëria nuk është në krizë, por në krizë ka zhytur Rama Partinë Socialiste, sepse ekonomia shqiptare ka një rritje mbi 6 % dhe të ardhurat buxhetore të këtij viti janë rreth 8% më të mëdha se të vitit të kaluar.