PD: Socialistët derdhin lot krokodili
21/12/2009 Liberalizmi i vizave
Partia Demokratike ka deklaruar se pozicioni i mbajtur nga Partia Socialiste në lidhje me liberalizimin e vizave është kryekëput negativ dhe i gënjeshtërt. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka thënë dje se me gjithë përpjekjet e gjithanshme të kryesocialistit Edi Rama me bojkotin e Parlamentit dhe raportet false, me të cilat ai kërkon të bllokojë heqjen e vizave për shqiptarët, procesi po ecën normalisht. “Edvin Kristaq Rama me pinjollin tjetër të Bllokut, Ditëzi Bushatin, derdhi lot krokodili për vizat, ndërkohë që në emër të bllokmenëve të rinj Rama vetëm pak muaj më parë dërgoi në Bruksel raportin me të cilin i kundërvihej heqjes së vizave për Shqipërinë e shqiptarët”, - tha ajo. Sipas saj, qeveria po plotëson të gjitha kërkesat dhe PD-ja është e sigurt se në përputhje me premtimin e saj elektoral vizat do të hiqen brenda vitit të parë të këtij mandati. “I vetmi avantazh që kanë pasur malazezët, maqedonasit, madje edhe serbët është fakti se nuk kanë pasur fatkeqësinë të kenë asnjë DITËZI në opozitën e tyre, që të punojë dita-ditës kundër këtij procesi e t’u bëjë thirrje qytetarëve për të mos u pajisur me dokumente biometrike identifikimi, i vetmi kusht ky për heqjen e vizave”, - deklaroi zëdhënësja Mëhilli.