Nishani: Kam paguar të gjitha taksat vendore
21/12/2009 Ministri përgënjeshtron Edi Ramën
TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka hedhur poshtë deklaratat e Bashkisë së Tiranës, e cila pak kohë më parë tha zyrtarisht se ministri Nishani nuk ka paguar taksat vendore. “Detyrohem të përgënjeshtroj një shpifje të nivelit ordiner të kryetarit të Bashkisë Tirane, Edi Rama, për gjoja mospagimin e taksave nga ana ime.
Duke e konsideruar këtë trillim si reflektim të një gjendje politike fatkeqësisht të degraduar dhe thellësisht të rënë në dëshpërim, më duhet të sqaroj se familja ime nuk ka asnjë detyrim financiar të asnjë lloji takse të pa paguar ndaj shtetit dhe çdo institucioni”,- u shpreh Nishani. Ndërkohë që ky i fundit hyrë më në detaje duke pohuar se të gjitha faturat e pagesave të detyrimeve ndaj çdo enti, ai i paguan përmes bankës “Raiffaizen Bank” në Tiranë. “Autorizoj Ramën të verifikojë çdo faturë pagese që është bërë prej meje nëpërmjet kësaj banke. Paaftësia e Edi Ramës për të bërë opozitë e ka shndërruar në një burim të pavetëdijshëm duke lëshuar publikisht ç’ti vijë në gojë”,-tha ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Veç të tjerash Nishani i bëri me dije kryetarit të Bashkisë Tiranë, se nga pikëpamja territoriale ai nuk është banor i kryeqytetit, pasi apartamenti i tij i ndodhur në Selitë, i përket territorialisht njësisë vendore komuna Farkë.