Përmbytet një pjesë e Fierit, fshatrat dhe autostrada
21/12/2009 Reshjet, banorët në vështirësi, kërkojnë sistemimin e Gjanicës. Dëme materiale
FIER- Moti i keq, shiu dhe erëra të forta kanë shkaktuar probleme të mëdha në qytetin e Fierit dhe zonat rreth tij. Shirat e rrëmbyera të rëna gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të djeshëm kanë shkaktuar përmbytje të radhës në tregun industrial në Fier. Ky fenomen përsëritet sa herë që bien reshje te forta, por dje ka ndihmuar edhe dalja e lumit Gjanicë nga shtrati duke krijuar një situatë problematike.
Përmbytjet
Dhjetëra shtëpi dhe lokale janë përmbytur nga ujërat e lumit kurse dëme të mëdha kanë pësuar edhe tregtaret e qytetit. “Na është bërë një dëm i pallogaritshëm”, thotë tregtarja Vasilika Ndreko. Sa herë bie shi disa ditë rresht, aq herë del Gjanica nga shtrati duke marrë përpara ç’të gjejë. Gjanica është kthyer në një lum që përpin gjithçka që i del para duke u bërë problem gangrene dhe i përvitshëm i tregtarëve të tregut industrial, banorëve të lagjeve “Sheq i vogël”, “Sheq i madh”, “Kongresi i Përmetit”, lagje të cilat janë ngritur buzë shtratit të tij. Bashkia është shprehur shpesh që ka ndërmarrë studime për rehabilitimin e Gjanicës, madje edhe ndërtimin e një hidrovori shkarkues të ujërave në pikën që lidhet me lumin Seman, por deri tani si përherë nuk janë gjetur fondet. Ndërkohë, niveli i ujit ka arritur në disa centimetra duke vështirësuar ndërhyrjen në zonën e përmbytur. Në Vajkan një pjesë e autostradës Lushnjë-Fier për shkak të mosderdhjes së ujërave të grumbulluara nga rënia e reshjeve dhe gjithashtu ndërtimi i këtij segmenti nën nivelin e kanalit kullues ka bërë që ujërat të përmbysin këtë aks rrugor dhe automjetet të udhëtojnë në ish-segmentin rrugor të vjetër nga Mbrostari deri në Kolonjë. Si pasojë e përmbytjes në këtë segment rrugor, një autobot ka mbetur i bllokuar në këtë aks. Me gjithë tabelat orientuese të vendosura nga Policia e Qarkullimit Rrugor, shumë prej drejtuesve të automjeteve nuk marrin parasysh duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe të personave të tjerë. Për të dytën herë brenda këtij viti lumi Gjanica si pasojë e prurjeve nga reshjet e shumta të gjatë gjithë javës, u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale duke dëmtuar shtëpi, orenditë dhe gjithçka tjetër. Të lodhur nga premtimet e pushtetit lokal për sistemimin e shtratit të lumit banorët shprehen se tashmë problemi i tyre është bërë objekt kronikash sa herë që bie shi, ndërsa ata vazhdojnë të mbeten sipas tyre në mëshirë të fatit. Të ndërtuara pa leje në vitet 1990 tashmë shtëpitë e tyre janë në proces legalizimi. Ndërsa në zonat rurale gjendja është edhe më e vështirë. Mosfunksionimi i kanaleve kullues, apo lënia e tyre pa u pastruar për një kohë të gjatë, ka krijuar probleme në prodhimet bujqësore të fermerëve. Rreth 40 ha tokë bujqësor mbjellë në kultura të ndryshme janë përmbytur ditën e sotme, si pasojë e reshjeve të shiut ditës së djeshme. Ujërat e grumbulluara nga mosfunksionimi i kanaleve kullues, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore. Ndër më të prekurit nga ky fenomen janë fshatrat Çlirim dhe Vajkan. Në fshatin Çlirim 12 familje që kanë banesat pranë kanaleve kullues rrezikohen të përmbyten si rezultat i mosfunksionimit të tyre. Një situatë e tillë është përsëritur edhe herë të tjera në këtë zonë. E njëjta gjendje është edhe në fshatin Vajkan. Sipërfaqe të tëra toke të mbjella me kultura bujqësore si fasule, apo edhe grurë janë përmbytur nga reshjet e shiut. Indiferenca e pushtetit lokal apo pakujdesia e vet banorëve të zonës ka bërë që reshjet e shiut të rrezikojnë tokat bujqësore dhe vet banesat e tyre.