E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Tabaku: Rama hiq dorë nga presioni mbi institucionet

TIRANË- Përfaqësuesja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar sërish sot për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Duke i këshilluar kryesocialistit Rama të përesë me qetësi rezultatin ashtu sic po bën edhe PD, Tabaku tha se akuzat që ai bën ndaj institucioneve të pavaruara janë tërësisht të pabaza.

“Edhe sot, u njohëm me akuzat e radhës, false e kryekëput të pabazuara të z.Rama. Në një përpjekje të dëshpëruar dhe të papranueshme Z.Rama bëri presionin më të egër ndaj institucioneve të pavarura të vendit, për të grabitur fitoren e kundërshtarit dhe për të fiksuar rezultatin e zgjedhjeve vetëm në favorin e tij. Partia Demokratike vazhdon të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit, duke u distancuar nga taktikat shantazhuese dhe britmat e z.Rama”, tha Tabaku.

Tabaku deklaroi më tej se qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për beteja politike, ndërsa i kërkoi edhe njëherë Ramës të mos përbaltë më këtë proces transparent.
"Ndoshta, z.Rama do të pëlqente një rezultat të fiksuar paraprakisht në favor të tij, por është e qartë se në një demokraci, janë qytetarët ata që zgjedhin fituesin dhe jo politikanët. Askush nuk i beson këtyre trillimeve bajate, të gjithë qytetarët e panë me sytë e tyre se këto zgjedhje ishin të lira, të drejta dhe transparente. Miliona shqiptarë ishin pjesë e këtyre zgjedhjeve", shtoi ajo.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›