Surpriza në KQZ, PS kërkon votat e gabuara për këshillin bashkiak
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur dot dje të marrë një vendim lidhur me ndarjen e mandateve për Këshillin e Bashkisë së Tiranës dhe këshillat e minibashkive të kryeqytetit. Shkak është bërë i njëjti debat që ekziston edhe për garën për kryetar të së njëjtës njësi vendore, vlerësimi dhe përllogaritja e votave të gjendura në kutitë e gabuara. Por në këtë debat të ri palët kanë ndryshuar rolet. Ndërsa në garën për kryetar të bashkisë ishte Partia Socialiste ajo që kundërshtoi këtë proces vlerësimi të këtyre votave si antiligjor, në rastin e Këshillit Bashkiak ajo kërkon që në tabelën përmbledhëse të rezultatit mbi bazën e të cilit do të bëhet dhe ndarja e mandateve të përfshihen dhe votat e gjendura në kutitë e gabuara. Çka është kundërshtuar nga demokratët si një veprim që bie ndesh me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili trajton vetëm çështjen e votave të gjendura për kryetar të bashkisë.
Debati
Në zbatim të detyrimit ligjor, KQZ ka marrë dje në shqyrtim projektaktin për miratimin e tabelës së rezultateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të 11 minibashkiave të kryeqytetit. Por ndërsa bëhej fjalë për një procedurë krejt formale ashtu si dhe për të gjitha këshillat bashkiakë dhe komunalë në të gjithë vendin, rasti i Tiranës ka ngjallur prapë debat. Kështu, duke iu referuar pikërisht projekt-aktit të hartuar nga administrata përfaqësuesi i PS në KQZ, Genci Gjonçaj, ka kërkuar që në tabelën e rezultatit për këshillin bashkiak dhe ato të minibashkive të reflektoheshin dhe votat e gjendura gjatë procesit të vlerësimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara për kryetar të bashkisë. “Meqë ju gjatë gjithë kësaj kohe organizuat një proces rivlerësimi votash në emër të parimit që çdo votë e qytetarit të lexohet dhe të numërohet, do të ishte me vend që votat e gjendura në kutitë e gabuara për këshillat të merren parasysh dhe të pasqyrohen në rezultat. Vetëm pas kësaj të bëhet ndarja e mandateve. ”, - tha Gjonçaj, i cili vijoi duke theksuar “këta që kanë votuar për këshillat janë qytetarë apo fshatarë?” Por nuk ka qenë në të njëjtin mendim përfaqësuesi demokrat Njazi Kosovrasti, i cili e ka konsideruar këtë kërkesë të papranueshme, për faktin se procesi i vlerësimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara ishte vetëm për kryetar dhe jo për këshillat. Sipas tij, nëse do pranohej një kërkesë e tillë, do kishim shkelje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe se që ato vota të vlerësohen duhet të kishte një ankimim. Ndërsa përsa i përket këshillave të minibashkive Kosovrasti e ka konsideruar atë një proces të mbyllur dhe se hapja e tij do të sillte probleme që do ishte e vështirë të rikuperoheshin.
Vendimi
Pavarësisht kundërshtive mes palëve, duket se KQZ ka rënë dakord për të marrë parasysh në ndarjen e mandateve për këshillin e bashkisë së madhe edhe votat e gjendura në kutitë e gabuara. Por për shkak të disa paqartësive në shifra, KQZ ka shtyrë vendimmarrjen për ditën e sotme deri sa administrata të bëjë disa verifikime teknike. Pavarësisht përllogaritjes së këtyre votave, duket se raportet në këshillin e ri të Bashkisë së Tiranës janë përcaktuar dhe votat e gjendura në kutitë e gabuara nuk mund t’i ndryshojnë ato. Kështu mazhoranca do të ketë në Këshill një përfaqësues më shumë, ose thënë me shifra ajo do të ketë 28 mandate dhe opozita 27 të tillë. Nga ana tjetër KQZ nuk ka dhënë shpresa se votat e gjendura në kutitë e gabuara do të reflektohen edhe për këshillat e minibashkive. Gjithsesi vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë paradites së sotme, ku dhe është paralajmëruar një mbledhje radhës.